Si do të funksionojë bursa e energjisë

Ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë” që i hapin rrugë krijimit të Bursës së Energjisë sjellin edhe ndryshime në përcaktimin se kush mund të bëhet aksioner në këtë sipërmarrje. Ashtu sikurse pritej, Bursa do të jetë nën menaxhimin e operatorit të tregut që në këtë rast është caktuar Operatori i Sistemit të Transmetimit. Në relacionin e projektligjit të dorëzuar në parlament saktësohet se cilat janë objektivat që synohen të arrihen përmes kësaj nisme. Po kështu, siç po ndodh rëndom së fundmi Këshilli i Ministrave ka marrë sërish mbi vete disa atribute që lidhen nga kushtet që duhet të plotësojnë aksionerët dhe tek çdo element tjetër për krijimin e bursës.

Ngritja e bursës dhe bashkëaksionerët
“Në pikën 1/1 parashikohet krijimi i operatorit të tregut në formën e shoqërisë aksionare nga OST-ja, ose nga OST-ja dhe persona juridikë të tjerë, sipas parashikimeve të pikës 1/2. Ndërkohë që, krijimi, forma ligjore dhe struktura e pronësisë së kapitalit të operatorit të tregut do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë dhe ministrit që ushtron të drejtat e pronarit tek shoqëria “OST”, sh.a” thuhet në relacion.
Nga ana tjetër për të gjithë ata që shfaqin interes për t’u bërë bashkëanksionerë kushti i vetëm i caktuar paraprakisht është që të jenë ndërkombëtare dhe me përvojën të gjatë në tregje. “Pika 1/2 parashikon se subjektet private që marrin pjesë në kapitalin aksionar të operatorit të tregut duhet të jenë subjekte me aktivitet ndërkombëtar, me reputacion të mirë dhe me përvojë të gjatë në operimin e tregjeve të ngjashëm të organizuara të energjisë në Evropë, të cilat operojnë në përputhje me modelin shqiptar të tregut si dhe me rregullat e tregut, dhe/ose subjekte me përvojë të gjatë në sektorin e energjisë elektrike, dhe/ose institucione financiare ndërkombëtare”, vijon relacioni.
Por edhe në këtë rast pavarësisht interesit procedura e përzgjedhjes së subjekteve dhe kriteret specifike që duhet të përmbushin ato miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit të ministrit përgjegjës për energjinë.

Objektivat pas ngritjes së bursës

Ka një theks të vazhdueshëm për impaktin pozitiv që do të japë në tërësi ngritja e një platforme elektronike për energjinë e përmbledhur nën emërtimin Albanian Power Exchange. Në relacionin që shoqëron ndryshimet ligjore në sektorin e energjisë nënvizohen të paktën gjashtë objektiva që synohen të arrihen nga qeveria pas ngritjes së Burës Shqiptare të Energjisë.
Së pari, synohet të përmirësohet shfrytëzimi i sistemit total të prodhimit dhe të transmetimit (dmth., të gjithë centralet do të renditen natyrshëm sipas meritës). Së dyti, optimizimi dhe përdorimi i kapaciteteve transmetuese ndërkufitare dhe rritja e sigurisë së furnizimit. Së treti, hapet rruga për ofrimin efikas të shërbimeve ndihmëse për Operatorin e Sistemit të Transmetimit në Republikën e Shqipërisë dhe të mundësojë shitjen ndërkufitare të këtyre shërbimeve. Së katërti, sigurohet akses në treg për konsumatorët dhe më pas përmirësohet klima e investimeve për projektet e reja të energjisë si dhe rritet transparenca dhe disiplina financiare në tregtimin e energjisë.