Pse Rama nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Ka një arsye që kreu i qeverisë nuk po shpall gjendjen e jashtëzakonshme megjithëse situata është dramtike nga përmbytjet në të gjithë vendin.
Sali Berisha bën thirrje të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, lidhur me përmbytjet e dy ditëve të fundit në vend.
Ai theksoi se mos shpallja e gjendjes se emergjencës është një akt i papërgjegjshëm antikushtetues i Edi Ramës si kryeministër. Sipas Berishës, Rama nuk e merr këtë vendim vetëm për të shmangur detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve.
Berisha ftoi Presidentin Ilir Meta që të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Të shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme për të përballuar një situatë që edhe mund të bëhet katastrofale!
Të dashur miq, Shqipëria në tërësi, që nga dje mbasdite ndodhet nën një mot dhe përmbytje brutale tejet kërcënuese për jetët e njerëzve dhe pasuritë e tyre. Deri tani nuk ka patur viktima, por dëme të mëdha materiale, dhe ndihma ndaj popullatës së kërcënuar është minimale.
Të dhënat sinoptike për orët që vijnë nuk janë premtuese. Në këto kushte është e domosdoshme shpallja menjëherë e gjendjes së jashtëzakonshme në shkallë vendi dhe mobilizimi i të gjitha potencialeve në ndihmë të zonave dhe komuniteteve më në rrezik.
Gjendja e jashtëzakonshme ka ligjin, i cili përcakton qartë detyrimet e shtetit në situata të tilla ndaj zonave të prekura nga katastrofat natyrore. Edi Rama nuk e merr këtë vendim vetëm e vetëm për të shmangur detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve. Mos shpallja e gjendjes së emergjencës, është një akt i papërgjegjshëm antikushtetues i Noriegës!
Ftoj Presidentin e Republikës, që në një situatë të tillë papërgjegjshmërie të kreut të ekzekutivit të konsiderojë edhe thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, shprehet Berisha.
Të njëjtin shqetësim e shpreh edhe kreu i Grupit të LSI, Petrit Vasili, i cili ngre dyshimet për mos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga Rama. Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha se, Rama do të mbahet mend në listë si kryeministër i papërgjegjshëm. Sipas tij, Rama është zgjedhur për të qeverisur, por ai po qeveris për të përmbysur gjithçka. ‘Unë e kam thënë me gojën plot, ky kryeministër për papërgjegjshmërinë e tij do të mbetet kryeministri më i paharrueshëm i vendit. Ky ka qenë dhe mbetet në statusin tim duhet të iki dhe të mos bëjë komentatorin. Ka marrë përsipër të qeverisë vendin, por ky po përmbys dynjanë. Ky njeri nuk merr përgjegjësi. Në verën e këtij viti, Rama nuk pyeti pse u mbyt Vlora, Fieri, por sot kemi përmbytje edhe në Veri të Shqipërisë. Unë prisja të thoshte në Parlament që ne duhet të ndërhyjmë në argjinatura, dhe t’i themi stop makijazhit në qytete. Nuk dëgjuam asnjë fjalë as digë as argjinaturë. Si do t’u justifikohet qytetarëve. Kur pati në dorë timonin e vetëm”, deklaroi Vasili.