Prokuroria nis hetimet për përmbytjet në autostradë

Pas denoncimet të bizneseve, prokurorë të Prokurorisë së Tiranës kanë zbarkuar në autostradën Tiranë-Durrës për të konstatuar nga afër nëse ka shkelje të ligjit për ndërtimet e paligjshme. Pronarët e bizneseve gjatë një diskutimi me tone të larta me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj pretenduan se përmbytja ka ardhur nga bllokimi i kolektorëve dhe ndërtimet e paligjshme.
Prokurori Ervin Karanxha po shikon nga afër si ka ndodhur përmbytja në autostradën Tiranë-Durrës. “Në koordinim me policinë po shohim nëse ka elementë për veprën penale, jemi në kuadër të evidentimit. Po dokumentojmë dhe bëjmë verifikimin e situatës, si do të bëjmë dhe përllogaritjen e dëmit. Do regjistrohet kallzim penal dhe do t’i verifikojmë të gjitha”, tha ai.
Prokurori Ervin Karanxha tha për mediat, se do të kryhen verifikime mbi arsyen e bllokimit të sistemit të kullimit. “Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në koordinim me Policinë e Shtetit, po shohim verifikime nëse ka elementë apo jo të ndonjë vepre penale, në lidhje me tubat e shkarkimit, turbinat etj. Tani jemi në kuadër të verifikimit, po dokumentohet vlera e dëmit, sa është, nga këqyrja e vendit të ngjarjes do të saktësohet kush ndërtim është me leje, kush ndërtim është pa leje, ose që ka sjellë dëmin. Objekt i verifikimit do të jenë të gjitha shqetësimet e qytetarëve, do të regjistrohet një kallëzim penal dhe do të verifikohen të gjitha. Ne jemi të hapur për çdo person që ka pas përmbytje, të paraqitet në Prokurorinë e rrethit gjyqësor, Tiranë, me vlerën e dëmit, çfarë dëmi i është shkaktuar nga ngjarja e ndodhur”, u shpreh prokurori Karanxha.