Mziu mbledh Emergjencat Civile të Bashkisë: Prioritet jetët njerëzore

Janë 207 familje të përmbytura me dëme të raportuara nga grupet e punës të EC Bashkia Kamëz deri në orën 20:00, vazhdojnë verifikimet në terren

Pas një pune intensive në terren 24 orësh, prej mbrëmjes të së enjtes në orët e pasdites kryetari i Bashkisë së Kamzës ka mbledhur grupet e punës të EC për të raportuar për punën e kryer. Në këtë takim në fillim të fjalës së tij kryebashkiaku Xhelal Mziu falënderoi stafin e bashkisë dhe të Ndërmarrjeve vartëse për punën e mirë të bërë, gjë të cilën ai e kishte konstatuar në takimet që me qytetarët gjatës ditës së sotme në territorin e bashkisë, si dhe në takimin me kreun e PD-së Lulzim Basha. Në komunikimin me drejtuesit dhe anëtarët e Shtabit të Emergjencave Civili ne Bashki, z. Mziu  kërkoi në mënyrë të prerë të bëjnë më të mirën në detyrën e tyre, të ushtrojnë me sa përgjegjshmëri detyrat e ngarkuara dhe prioritet absolut i tyre të jetë ndihma për qytetarët dhe veçanërisht shpëtimi i jetëve njerëzore.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu kërkoi nga grupet e punës që të shkojnë shtëpi më shtëpi, të trokasin derë më derë dhe evidentojnë çdo dëm sado minimal të shkaktuar tek qytetarët. “Kërkoj impenjim maksimal të gjithsecili prej jush që evidentimi i dëmeve të bëhet deri në orët e vonë të mbrëmjes teksa do të bëjmë mbledhjen tjetër të shtabit ku do të raportoni”- tha z. Mziu në mbledhjen e EC.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu kërkoi që pas evidentimit të dëmeve, vlerësimit financiar të tyre, të kalohet për vendim në Këshillin Bashkiak, më pas në Prefekturë dhe të çohet lista tek Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile me qëllim dëmshpërblimin sa më shpejt të banorëve.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu kërkoi nga administrata që të evidentohet çdo nevojë emergjente në terren dhe bashkia të iu vijë në ndihmë banorëve brenda mundësive të saja. Zoti Mziu kërkoi partneritet me privatët në ketë rast si dhe bashkëpunim me institucionet për të pastruar zonën ku për shembull; mjetet që vijnë nga bordi i kullimit të punojnë dhe me dy turne ku bashkia do të kontribuojë edhe financiarisht mjafton që zona të pastrohet dhe qytetarëve të ju kthehet normaliteti.

Mziu premtoi se bashkia do të shikojë mundësinë që familjeve të përmbytura të iu akordohet edhe ndihmë financiar brenda mundësive. Në fund të fjalës kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu kërkoi Shtabi i Emergjencave Civile që deri në orët e vonë të mbrëmjes të kenë shkuar në çdo shtëpi ku të kenë evidentuar çdo dëm për secilën familje të përmbytur.

Deri në orën 20:00 të mbrëmjes së premte janë 207 familje të përmbytura me dëme të raportuara nga grupet e punës të EC bashkia Kamëz.

Paskuqan 18 familje.

Bathore 72 familje.

Kamza 38 familje.

Valiasi i Ri 53 familje.

Frutikultura 26 familje.