Mashtrimi i “teknologjisë së re”

Prej kohësh na shtyjnë të mendojnë se teknologjia më e re është gjithmonë më e mira, pro në një kohë, kur funksionaliteti dhe tregtueshmëria vlerësohen më shumë se thjeshtësia dhe rezistenca në kohë, kërkimi i përhershëm i teknologjisë më të re mund të kthehet në burim frustrimi. Nga makina llogaritëse tek Prius dhe njerëzit tashmë janë kthyer në skllevër të teknologjisë më të re në treg. Të apasionuarit pas teknologjisë janë të dashuruar me progresin dhe duan gjithmonë të ecin përpara drejt të ardhmes, edhe pse dy fenomenet nuk janë gjithmonë të njëjtë. Lëvizja nuk është gjithmonë progres.
Çdo proces inxhinierik evolon mbi një sërë kompromisesh ndërmjet forcave që shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën: performanca përballë eficencës, funksionaliteti përballë thjeshtësisë, kosto përballë gjithçka tjetër. Çfarë e përcakton produktin përfundimtar? Natyrisht, Departamenti i Marketingut. Do të ishte mjaft interesante po të imagjinonim se si do të ishte bota jonë sikur prodhuesit nuk do të ishin dorëzuar plotësisht përpara reklamuesve.
Marketingu na tregon çdo ditë se përsëritja pa fund e modeleve të reja të software dhe aplikacioneve smarphone janë duke na çuar përpara përmes “shtimit” të tipareve të reja dhe duke përmirësuar ekzistencën tonë. Megjithatë, shpesh çdo përmirësim i teknologjisë përfaqëson thjesht një ndryshim ose një përmirësimin thuajse të papërfillshëm të modelit të mëparshëm.
E vërteta është që versionet e reja thjesht kërkojnë më shumë memorie, teksa përpiqen të zgjidhin problemet e modelit të mëparshëm, duke krijuar probleme të reja, të cilat do të zgjidhen me modelin që do të dalë pak më vonë. Shprehja “nëse nuk është prish, mos e ndreq”, duket se është zhdukur përgjithmonë.
Imagjinoni një tualet publik super-modern, të pajisur me tharës automatikë për duart, pajisje për pastrim, sapun dhe gjithçka që nevojitet. Specialistët e marketingut pretendojnë se pajisjet e përdorura aty janë më pak të dëmshëm për mjedisin krahasuar me pajisjet që i paraprinin. Edhe pse ruajtja e mjedisit është një qëllim mjaft i rëndësishëm, të përplasësh duart disa herë poshtë një tharëse automatike ngre mjaft dyshime për eficencën e një pajisjeje. Po kështu, rubinetat e ujit me sensor e bëjnë praktikisht të pamundur të mbushësh një shishe me ujë dhe mungesa e letrave për shkak të ekzistencës së tharëses automatike të duarve, të vë në vështirësi nëse kërkon të lash edhe fytyrën.
Ky është vetëm një shembull i eficencës së teknologjisë së re që ndodhet në çdo aspekt të jetës tonë. Pothuajse prej dy dekadash, tabelat e bardha janë kthyer pothuajse në detyrim për universitetet dhe shkollat. Pasi u tha se tabelat e zeza duhet të zëvendësoheshin për shkak se pluhuri i shkumësit ishte i dëmshëm për kompjuterët, me kalimin e kohës u kuptua se ky rrezik nuk ishte aspak i madh dhe mbi të gjitha, tabelat e zeza rezultuan të ishin më funksionale se ato të bardha. Si fillim shkumësi është dhjetë herë më i lirë në kosto dhe nuk thahet. Kur temperatura e dhomës bie nën 12 gradë celsius, gjë që ndodh më shpesh nga çmendoni, tabela e bardhë mund të fshihet vetëm me një solucion të veçantë, duke e kthyer orën e mësimit në një mision të fshirjes së tabelës. Teknologjia e re shpesh nuk arrin të fitojë as në leverdi ku krahasohet me modelet e mëparshme.
Leverdia, komoditeti dhe lehtësia në përdorim duhet të jenë tiparet kryesore që duhet të karakterizojnë një produkt të ri. Stilolapsat janë shumë herë më të leverdisshëm se stilografët dhe më pak të kushtueshëm, por nuk shkruajnë aq mirë. Përpunuesit e fjalëve, si laptopi apo kompjuteri, janë më të shpejtë se të dy, por nuk të japin kohën e nevojshme për t’u zhytur në mendime.
Shpeshherë leverdia dhe komoditeti nuk është e njëjtë me funksionalitetin. Pajisjet e krijuara për të bërë vetëm një punë të caktuar janë gjithmonë më të mira se ato që pretendojnë se bëjnë më shumë, por teknologjia e kohëve të fundit ka gjithmonë si qëllim të ofrojë më shumë në një hapësirë gjithmonë e më të vogël. Synimi është të blesh një pajisje që i bën të gjitha.
Përpunuesit e fjalëve nuk janë më vetëm përpunues fjalësh dhe teksti, ato japin pajisje që krijojnë çdo lloj përmbajtjeje, qoftë grafike apo imazh. Natyrisht nuk janë pajisjet më të mira që i bëjnë të gjitha siç pretendohet dhe në fund nuk arrijnë të bëjnë në mënyrë perfekte asgjë.
Për shembull, procesi i montimit të një sistemi të “kinemasë në shtëpi” (home-theater) mund të të çojë në çmenduri. Pajisja shoqërohet me qindra e qindra faqe dokumentesh, disa telekomanda të ndryshme dhe shumë opsione. Ka një dyzinë funksionesh të ndryshme për çdo çelës, funksione që shumica e përdoruesve nuk dinë dhe nuk kanë nevojë t’i përdorin kurrë. Ndoshta labirinti i të gjithë procesit mund të zgjidhet nga një adoleshet i apasinuar pas teknologjisë, por jo nga një fizikant.
Fitorja e komoditetit mbi thjeshtësinë është mëse e dukshme tek fenomeni i telefonëve celularë, një produkt që ka transformuar mënyrën se si bëjnë gjithçka, përveç se mënyrën se si flasim në telefon. Në shtëpinë e një personi të moshuar mund të gjesh ndoshta breza të tërë telefonësh dhe cilësia më e mirë e audios mund të gjendet vetëm në telefonët e vjetër të viteve 1960. Në të kundërt, telefonët modernë celularë ofrojnë një cilësi audio që lë shumë për të dëshiruar. Nëse këtu shtojmë edhe faktin që shpesh pajisjet nxehen kur flet gjatë në telefon, kupton qartë se qëllimi thelbësor për të cilin përdoret telefoni nuk është më që të flasësh në telefon. Teknologjia evolon çdo ditë, aq shpesh sa edhe i apasionuari më i flaktë nuk arrin dot të mbajë të njëjtin hap me të. Marketingu kërkon të na bindë se modeli i ri, më i shndrritshëm dhe më i ndërlikuar është gjithmonë më i mirë, por e vërteta është që shpesh është e kundërta.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI