Gaboi në finale, mendon tërheqjen në moshën 24-vjeçare

Është vetëm 24 vjeç, gëzon shëndet të plotë, por po mendon tërheqjen nga futbolli. Arsyeja? Një gabim në ndeshjen e dytë finale të Copa Libertadores, që Lanus e humbi 1-2 ndaj Gremios, që triumfoi me rezultat të përgjithshëm 1-3. Bëhet fjalë për Jose Luis Gomez, mbrojtësin e skuadrës argjentinase, që gaboi në kontrollin e topit në mesfushë, duke i dhënë mundësi ekipit brazialin të shënonte golin e parë nëpërmjet kundërsulmit, kur rezultati vazhdonte të ishte 0-0.
“Po mendoj të tërhiqem nga futbolli. Jam shumë i lënduar, ndihem shumë keq. Ishte një gabim që nuk duhet ta kisha bërë. Vetëm aty e kam mendjen, nuk duhet të më kishte ndodhur. Nuk kalova një mbrëmje të mirë. U kërkoj falje të gjithë tifozëve të Lanusit, të cilët e meriton këtë kupë”, tha ai. Gomez është një lojtar i grumbulluar edhe në Kombëtaren e Argjentinës, ndërsa më parë ka luajtur edhe me Racing Club.