Banorët: Uji ka shkatërruar çdo gjë

Breg Shkoza në Njësinë Administrative të Prezës është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Prefekturën e Tiranës. Niveli i ujit, gjatë mesnatës arriti në 1 metër, duke vërshuar në shtëpi, gjenë e gjallë dhe toka. Bashkëshortët e familjes Terziu, që jetojnë pranë rrugës nacionale Vorë-Fushë-Krujë tregojnë tmerrin që kanë përjetuar mbrëmjen e së enjtes. Pavarësisht telefonatave të shumta për ndihmë, askush nuk ka shkuar për t’i evakuuar. Gjithçka kishin ngritur prej 15 vjetësh është mbytur brenda një nate. Orenditë e shtëpive, elektroshtëpiaket, ushqimet, veshjet e gjithçka kishin në shtëpi janë dëmtuar nga uji e balta. Bashkëshortet Terziu kërkojnë ndihmë, pasi të tjera netë dhe ditë do duhet të qëndrojnë jashtë shtëpisë së përmbytur. Vërshimit të ujit, nuk i ka shpëtuar dot as gjëja e gjallë përreth shtëpisë. Kjo është ajo çka ka mbetur në oborrin e përmbytur. Ashtu si familja Terziu në këtë zonë të Njësisë Administrative të Prezës janë edhe 50 familje të dëmtuara nga përmbytjet. Ndërkohë në rrugët nacionale vijon të punohet për pastrimin e tyre dhe largimin e mjeteve të përmbytura një natë më parë nga vërshimi i ujërave.