Ballina Aktualitet Shkodra nën ujë, përmbyten banesa dhe biznese në Vlorë

Shkodra nën ujë, përmbyten banesa dhe biznese në Vlorë

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe bllokim rrugësh, duke krijuar një situatë kaotike në të gjithë vendin. Mbi 150 hektarë kryesisht tokë bujqësore dhe zonë kënetore janë nën ujë në Shkodër nga përmbytjet. Dy persona kanë rrezikuar të mbyten, pasi lumit Kir ka dalë nga shtrati. Gjendja pritet të përkeqësohet në orët në vijim. Zonat më problematike në Shkodër rezultojnë të jenë Oboti, Dajçi dhe Velipoja. Banorët e këtyre zonave, janë izoluar nga situata e përmbytjeve, ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në këto zona mungon shërbimi shëndetësor dhe gjendja është përkeqësuar tek mjaft fëmijë dhe të moshuar.
Dhjetëra banesa dhe biznese janë përmbytur në Vlorë dhe Fier. Tre familje të Njësisë Administrative Shushicë në Vlorë janë evakuuar, pasi rrezikon të dalë nga shtrati lumi Vjosë. Për shkak të kushteve të rënduara të motit dhe erës në zonën e Orikumit, që prej mbrëmjes së mërkurë nuk furnizohen me energji elektrike Orikumi, Tragjasi dhe Radhima. Kjo situatë ndikon edhe në furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve në këto zona.

Banorët ndërtojnë barikada me thasë rëre pranë shtëpive

Përballë raportimeve se Vjosa po shton prurjet, banorët e rrezikuar në Vlorë, Fier dhe Novoselë nisën përgatitjet. Banorët po ndërtojnë barikada me thasë rëre pranë shtëpive dhe bizneseve.
Përgatitje po bëjnë edhe banorët e Therasit në Fier, ku dy vjet më parë dalja nga shtrati i Vjosës i vuri ata nën pushtetin e ujit. Por, ndërsa kjo rrezikon të përsëriten banorët thonë se nuk kanë marrë ndonjë njoftim apo ndihmë paraprake nga institucionet, ndaj u ka mbetur të bëhen gati dhe t’i bëjnë ballë situatës. Ndërsa shumica e banorëve të zonës ankohen se nuk kanë marrë kompensimet për dëmet e para dy viteve. Petrit Banaj i trembet asaj që mund të ndodhë me fermën e tij me 100 kokë gjedhë.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Ndërsa disa fshatra të Gjirokastrës, për shkak të erërave kanë mbetur pa energji elektrike. Gjithashtu, raportohet se ka pasur probleme me rrëshkitjet e dherave edhe në Permet, në Çarshovë dhe Frashër.
Në autostradën Tiranë-Durrës qarkullimi është bllokuar. Përballë karburant “Kastratit” niveli i ujit ka arritur mbi 0.75 metra. Disa makina raportohen të mbuluara nga uji, po ashtu shumë të tjera në trafik mbeten të rrezikuara. Policia po përpiqet të devijojë qarkullimin e makinave në rrugën dytësore përballë me karburantin, por deri tani pa rezultat. Policia Rrugore bën thirrje që drejtuesit e makinave të jenë të kujdesshëm në këtë rrugë.
Emergjencat Civile janë dorëzuar, pasi nuk mund të ndërhyjnë në një situatë të tillë për shkak se mungojnë kapacitetet. Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, thotë se është përgjegjësi e kompanisë që mirëmban rrugën për të ndërhyrë.

Basha thirrje Ramës: E ke për detyrë të ndihmosh njerëzit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë seancës parlamentare të ditës së djeshme ngriti shqetësimin për sigurinë e popullit pas përkeqësimit të motit. Basha në fjalën e tij tha se, kishte informacione që në Shkodër mungonte totalisht shërbimi shëndetësor dhe bëri thirrje për ndërhyrje imediate për ndihmën e njerëzve në rrezik. Basha iu drejtua Ramës se e ke për detyrë të ndihmosh njerëzit.

“Informacioni që më vjen mua nga Shkodra, mungon totalisht shërbimi shëndetësor në veçanti për fëmijët, nënat e pleqtë. Kjo është jashtë rendit të ditës. Kordinohuni me pushtetin vendor për t’u organizuar në terren. Ka pamundësi kontakti me pushtetin qëndror. Merrni masat për t’i ndihmuar njerëzit që janë në rrezik për jetën. Është detyra dhe ekzistenca numër 1 e shtetit”, tha Basha.

Pezullohet procesin mësimor

Nisur nga situata e krijuar, Ministria e Arsimit ka pezulluar procesin mësimor në të gjitha shkollat e vendit. Nga llogaritjet e fundit të Institutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, reshjet mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet kryesore (Lezhë, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Në disa qarqe të vendit raportohet edhe për rrëshkitje të tokës për shkak të intensitetit shumë të lartë të reshjeve dhe vërshimeve nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël.
Sinoptikanët thonë se sasia e reshjeve që do të bien në këto dy ditë, ka për të qenë e barabartë me sasinë e reshjeve që bien për gjysmë viti në Shqipëri.
Për fat të keq është regjistruar edhe viktima e parë e këtyre përmbytjeve. Ai është një elektriçist nga Fieri, i cili ra në kontakt me energjinë elektrike teksa ishte ngjitur në shtyllë për të rregulluar defektin.

Përmbytjet, gjysma e Tiranës pa drita

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha edhe në Tiranë. Problematike paraqitet dhe situata në nënstacionin e Kasharit, duke sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Nga stakimi janë pa energji elektrike Kamza, Lapraka dhe Kombinati. Gjithashtu reshjet e shiut kanë përmbytur një pjesë të autostradës Tiranë-Durrës, duke bërë që të bllokohet qarkullimi. Uji ka arritur në një lartësi rreth 1 metër, çka e ka bërë të pamundur kalimin për mjetet e vogla.

Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës

Reshjet e shiut kanë bërë që niveli i ujit në autostradën Tiranë-Durrës, pranë ish-komunës Kashar, të arrijë në 75 cm. Për këtë arsye qarkullimi i automjeteve është bllokuar. Pas përmbytjes autostrada Tiranë-Durrës po përballet edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike, duke e bërë lëvizjen në këtë aks të rrezikshme. E gjithë autostrada është në kushtet e një errësire totale.
Situata e rënduar është paralajmëruar prej disa ditësh, por duket se gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët. Emergjencat Civile janë dorëzuar, pasi nuk mund të ndërhyjnë në një situatë të tillë për shkak se mungojnë kapacitetet. Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, thotë se është përgjegjësi e kompanisë që mirëmban rrugën për të ndërhyrë.
Policia Rrugore njofton se ka devijuar lëvizjen e mjeteve në rrugën dytësore, ndërkohë që në këtë zonë ka dërguar patrulla shtesë. Policia po përpiqet të devijojë qarkullimin e makinave në rrugën dytësore përballë me karburantin, por deri tani pa rezultat. Policia Rrugore bën thirrje që drejtuesit e makinave të jenë të kujdesshëm në këtë rrugë. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe në rast problemesh të telefonojnë në numrin 112 dhe shërbimet e Policisë Rrugore e ato të Rendit do t’ju shkojnë në ndihmë.

Shënohet viktima e parë nga përmbytjet

Një elektricist 50-vjeçar është viktima e parë e situatës së motit të keq që ka përfshirë vendin. Sabri Vringa ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po punonte në riparimin e një defekti në fshatin Kurjan.
Një elektricist 50-vjeçar është viktima e parë e situatës së motit të keq që ka përfshirë vendin. Sabri Vringa ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po punonte në riparimin e një defekti në fshatin Kurjan.
Ndërkohë, dy elektricistë janë dëmtuar në krye të detyrës në rrethin e Shkodrës, duke pësuar djegie gjatë riparimit të një defekti. Paraprakisht thuhet se elektricistët kanë pësuar plagë e për pasojë pritet transportimi i tyre drejt Tiranës.
Ata po riparonin nënstacionin Shkodra1. Plagosja e dy elektricistëve vjen ndërkohë që një elektricist ka humbur jetën pasditen e sotme në Fier, duke riparuar një defekt në shtyllë. Ata po riparonin defektin e një automati, i cili ka shpërthyer më pas, duke u shkaktuar djegie.
Stuhia me reshje të dëndura e erëra të forta që ka përfshirë vendin vjen nga jugu, por përmbytjet e paralajmëruara nisën nga Veriu.

Deputetja e PD ndjek situatën në Selenicë

Deputetja e Partisë Demokratike për Qarkun e Vlorës, Nada Meçorapaj ka ndjekur me vëmendje situatën nga përmbytjet në këtë qark. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, situatë emergjente është krijuar në Bashkinë e Selenicës, ku rrezikon të shembet Ura e Gjormit. Shkak për situatën e krijuar dhe rrezikun për shembjen e Urës është marrja pa kriter e inerteve.
Në disa njësi të Bashkisë së Selenicës, në Sevaster, Brat, dhe një pjesë e Vllahinës, mungon energjia elektrike që mbrëmjen e të mërkurës. Gjithashtu, ka rrëshkitje dherash në disa rrugë që lidhin fshatrat, ndërsa aksi Velçë-Selenicë është i bllokuar.
Deputetja Nada Meçorapaj, dhe kryetari i Bashkisë, Përparim Shameti i kërkojnë qeverisë qëndrore të ndërhyjë për normalizimin e situatës. Deri tani situata është përballuar nga mjetet e Bashkisë, por nëse reshjet vazhdojnë të jenë të dendura, siç janë parashikimet, situata rrezikon të bëhet e papërballueshme.

Banorët në panik, lumi Kir në nivele të frikshme

Niveli i lumit Kir në Shkodër është rritur ndjeshëm dhe në mënyrë shumë të shpejtë. Niveli i ujit ka arritur tek harqet e Urës së Mesit. Banorët thonë se një situatë e tillë nuk është parë asnjëherë në këto anë. Niveli i ujit ka tendencë për t’u rritur me kalimin e orëve dhe shtimin e prurjeve nga malet.
Reshjet e dendura të shiut kanë shënuar përmbytjet e para në Shkodër, ku uji ka mbuluar hapësira të konsiderueshme. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në Ana Malit janë me prezencë uji rreth 40 ha tokë nga prroji i përbashkët me Malin e Zi.
Në Rrethina mungon energjia elektrike në të gjitha fshatrat. Në lumin Kir prurjet janë normale. Në Njësinë Administrative Postribë mungon energjia elektrike që në mëngjes. Në Bërdicë mungon energjia elektrike në të gjithë fshatrat, prezencë uji ka në një pjesë të segmentit ku po punohet në rrugën Shkodër-Velipojë.
Në Guri i Zi ka patur disa herë ndërprerje të vogla të energjisë elektrike. Ka prezencë të ujit në 40 ha tokë në zonën fushore të fshatit Rrenc, tokë e cila është e pa kultivuar.
Ka prezencë të ujit në aksin nacional Shkodër-Mjedë. Në Velipojë mungon energjia elektrike në të gjithë territorin për rrjedhojë dy hidrovorët nuk janë në punë. Tokë kënetë e përmbytur është afro 80 hektarë.
Niveli i ujit në kaskadën e Drinit arrin pikën kritike
Reshjet intensive kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentrale, duke iu afruar shumë nivelit maksimal të lejuar, çka do të thotë se në orët në vijim nëse do të jenë të njëjtat ritme prurjesh do të vendoset hapja e porteve. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Energjetikës thonë se, hidrocentrali i Komanit dhe i Vaut të Dejës aktualisht ndodhen shumë pranë nivelit të lejuar në bazë të rregullores për menaxhimin e hidrocentraleve, çka përbën një alarm për përmbytje për zonat përreth që njihet si zona e nënShkodrës.
Për të mbajtur nën kontroll situatën, KESH ka rritur prodhimin e energjisë, për të shmangur shkarkimet. Aktualisht niveli në hidrocentralin e Komanit është 172.80 m ndërsa, në bazë të rregullores Komani duhet mbajtur nën 173 m. Edhe hidrocentrali i Vaut të Dejës është në kuotat e 73.81 m, ndërkohë që niveli i ujit në këtë HEC duhet të jetë nën 74 m. Sipas të dhënave aktualisht uji në liqenin e Fierzës është 268.45 m nga 296 metra që është kufiri maksimal i lejuar. Ndërkohë në lidhje me situatën në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja mësohet se të gjithë hidrovoret janë në gatishmëri përveç dy hidrovorëve në Shkodër, të cilët kanë probleme me furnizimin e energjisë. “Përjashto zonën e Shkodrës që të dy hidrovoret, i Velipojës dhe i Asit nuk kanë tension”, bën të ditur Ministria.

200 milionë euro dëmi nga përmbytjet në 6 vite

Një një kohë kur strukturat e Emergjencave Civile kanë njoftuar për rrezik përmbytjesh në disa qarqe të vendit, kjo situatë pritet të rëndojë faturën financiare të krijuar ndër vite si pasojë e katastrofave natyrore.
Sipas vlerësimit të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Bankën Botërore, që prej vitit 2009, kur përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, deri në fund të vitit 2015 dëmi llogaritet në 200 milionë euro.
Sipas të njëjtave përllogaritje, dëmi vjetor nga përmbytjet, zjarret apo tërmetet përllogaritet në rreth 35 milionë euro, ndërkohë që vetëm për përmbytjet e janarit 2016 fatura arriti në rreth 9 milionë euro.
Megjithatë këto kosto mendohet të jenë edhe më të larta, duke qenë në to nuk janë përfshirë kostot sociale bën me dije “Scan”.
Në kushtet, kur kulturat bujqësore rrezikohen vazhdimisht nga përmbytjet, Banka Botërore ka sugjeruar për fermerët, që të orientojnë investimet e tyre me ndryshimet klimaterike, duke u ‘larguar’ nga drurët, që nuk përballojnë dot lagështirën, drejt kultivimit të drithërave.
Ndërkaq, sipas raportimeve të fundit të Ministrisë së Bujqësisë deri në mesditën e 30 nëntorit nuk është shënuar ndonjë situatë problematike. Nga ana tjetër, Korporatat Elektroenergjetike Shqiptare raporton rritje të nivelit të ujit në Kaskadën e Drinit, ndërkohë që të gjithë akset rrugore janë të kalueshëm.

R.POLISI

Exit mobile version