Sërish drogë nga Shqipëria në Greqi

Një sasi tjetër droge që vinte nga Shqipëria është kapur në Greqi. Policia greke ka sekuestruar një sasi prej 113 kg e 449 gram marijuanë gjatë një operacioni të zhvilluar sot në mesditë. Sipas mediave greke, është ndjekur një automjet që vinte nga kufiri dhe është kapur në Kompoti, Artë. Gjatë kontrollit policia ka gjetur në makinë 84 pako me drogë. Në pranga ka rënë drejtuesi 29-vjeçar grek. Policia sekuestroi mjetin dhe 2 celularë.
Policia sekuestroi pak ditë më parë një gomone me 1.6 ton drogë të nisur nga Himara. Policia greke publikoi të dielën pamjet e ndjekjes së gomones me drogë të nisur nga Shqipëria, në bordin e së cilës ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian. Polica greke dyshon se me këtë grup është përballur edhe 10 ditë më parë gjatë transportimit të një sasie tjetër kanabisi, që dyshohet se ishte nisur po nga Shqipëria. Pas peshimit, sasia e drogës rezulton 1.6 tonë, por policia greke dyshon se një pjesë e ngarkesës bashkë me armët kallashnikov dhe aparatet celularë janë hedhur në det gjatë ndjekjes.
Në një konferencë për shtyp, policia greke konfirmoi se është angazhimi maksimal i të gjitha institucioneve ligjzbatuese greke, për të shkatërruar këtë grup trafikantësh. “Në skaf ndodheshin dy shqiptarë dhe një italian, të cilët u arrestuan. Ndërkohë, që u sekuestrua edhe një sasi prej 1.6 tonë lëndë narkotike. Gjithashtu në sajë të hetimeve që u nisën për ngjarjen, u arrestuan edhe pjesëtarë të tjerë të grupit me role të ndryshme në trafikimin e lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 10 persona, ndër të cilët 6 shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një shtetas grek. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë”, u shpreh Nikolaos Lagadianos, zëdhënës i Rojës Bregdetare greke.