Perez gati çekun

Sondazhi i “Marca”, gazeta e Madridit, nuk lë asnjë dyshim: tifozët e Real Madrid duan Icardi. Sipas sondazhit të organizuar nga e përditshmja spanjolle ‘Marca’, tifozët e Realit të Madridit kanë votuar thuajse në mënyrë plebishitare për afrimin e Mauro Icardit në kryeqytetin spanjoll, mes 4 emrave të propozuar.
Sulmi i Zidanes po vuan të shënojë këtë vit dhe këtë e ka kuptuar mjaft mirë edhe Perez, që është i gatshëm të bëjë një sakrificë për sulmuesin zikaltër, ndoshta që në muajin janar. Icardi nuk ka luajtur në Champions dhe ky është një favor për madrilenët që mund ta përdorin edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, ndërsa argjentinasi paraqitet edhe si një futbollist mjaft i përshtatshëm për marketing, kjo edhe për faktin se është i martuar me një modele të famshme si Wanda Nara.
E përditshmja spanjolle raporton se mes palëve janë bërë tashmë kontaktet e para dhe se Perez është gati të paguajë klauzolën prej 110 milionë eurosh, që në muajin janar. Gjithsesi, në shtëpinë zikaltër duken të qetë dhe po negociojnë rinovimin me kapitenin, për të rritur edhe klauzolën për verën e ardhshme.
Wanda Nara nuk e mohon interesin e Real Madrid-it, dhe jo vetëm të tij, ndaj Mauro Icardi-t të saj. “Preferoj të mos ju them se kush më telefonon. Drejtuesit e dinë që Mauro ka refuzuar skuadra që lojtarë të tjerë nuk i kanë refuzuar, sepse ka në zemër ngjyrat zikaltër. Nuk e mohoj që janë shumë klube që interesohen për të. Më shumë nga sa thuhet vërdallë. Sa vlen? Minimumi 200 milionë euro”, tha bashkëshortja dhe njëkohësisht agjentja e sulmuesit argjentinas për “Corsport”.
“Mauro është një lojtar i rëndësishëm dhe klubet më të mëdha të Europës e ndjekin prej kohësh. Është e drejtë që një sulmues si ai, një nga numrat 9 më të mirë të botës, të ketë interesin e shoqërive të mëdha, të cilat e vlerësojnë për atë që vlen. Kjo duhet të kënaq atë dhe Inter-in”, komentoi Wanda Nara.
Lidhur me të ardhmen e bashkëshortit të saj, Nara i la të gjitha opsionet të hapura: “E vështirë ta parashikosh të ardhmen. Nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë. Icardi ka një kontratë me Inter-in, është i lumtur se si po ecin gjërat dhe kërkon maksimumin. Por të ardhmen nuk mund ta dijë askush, fjala e fundit i takon shoqërisë, dhe ka oferta, të cilat nuk mund të refuzohen”, tha bashkëshortja e sulmuesit zikaltër.
Pas 14 javësh, Mauro Icardi numëron 15 gola po aq sa dhe Ciro Immobile i Lazio-s që kryeson renditjen e golashënuesve të këtij sezoni në Serinë A, pasi ka një numër më të madh të asisteve, 6 kundrejt 1 të zikaltrit.