Nuk ka huamarrje për biznesin

Sinjalet pozitive që u shfaqën muajt e fundit për rigjallërimin e huasë për ekonominë nuk kanë rezultuar të qëndrueshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë të publikuara gjatë ditës së sotme tregojnë se, stoku i huasë ka shënuar rënie në tetor, pas dy muajve radhazi që ai kishte ardhur në rritje. Totali i kredisë arriti në 552.3 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2 miliardë lekësh në krahasim me muajin e mëparshëm.
E gjithë tkurrja ka ardhur nga reduktimi i stokut të kredisë që jepet për sipërmarrjen, që është ulur me 1.5 miliardë lekë, ku efektin kryesor e ka dhënë valuta. Bizneset duket se kanë frenuar investimet teksa dhe zgjerimi i kredisë në muajt e mëparshëm erdhi kryesisht nga projektet e lidhura me punën publike, siç raportoi Banka e Shqipërisë. Grafiku i mëposhtëm, që tregon ecurinë e kredisë për sipërmarrjen tregon se ajo ka ardhur në tkurrje për të paktën tre vitet e fundit. Efekt këtu ka dhënë dhe fshirja e kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, me bizneset që janë kreditorë shumë më të këqinj sesa individët.
Në të kundërt, bankat kanë qenë më të prirura të kreditojnë individët. Huaja për sektorët e tjerë rezidentë është rritur me 0.2% në tetor, në krahasim me muajin e mëparshëm. Bankat po i orientojnë klientët që të marrin hua në lekë, teksa ky zë ka shënuar një rritje me 0.5% me bazë mujore, ndërsa huaja në valutë për individë është në tkurrje. Huatë për individët, sidomos ato për shtëpi kanë një nivel më të ulët të kredive të pakthyera në afat (treguesi për individët është nën 10%), ndryshe nga bizneset që i kanë huatë problematike rreth 20%. Kjo ka bërë që bankat të fokusohen te financimi i individëve.
Me bazë vjetore (tetor 2017/tetor 2016), huaja për ekonominë në total është rritur vetëm me 0.3%, e udhëhequr tërësisht nga kredia për individët (në lekë), që është rritur me 8.4 miliardë lekë, ndërsa ajo për bizneset ka rënë me 8.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë, e ndikuar nga reduktimi i lartë i stokut të kredisë në valutë (efekt edhe i fshirjeve).