Hidhet në erë me tritol makina e një biznesmeni në Tiranë

Makina e pronarit të një firme inertesh u hodh në erë me tritol paraditen e djeshme në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:40 minuta në rrugën dytësore të Unazës së Re pranë Liqenit të Thatë. Mësohet se automjeti tip “Volkswagen” ka qenë i parkuar në momentin që shpërtheu. Burimet bënë të ditur se, mjeti “Volswagen” me targa AA 946 EE, në pronësi të shtetasit Ndok Rajta, banues në ‘Ali Dem’ i është vendosur një sasi eksplozivi. Burimet e policisë bënë të ditur se në makinë ishte vendosur 200 gram tritol dhe si pasojë e shpërthimit të fuqishëm copëzat e mjetit janë përhapur në një distancë rreth 70 metra. Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, ndërsa u dëmtua tërësisht makina si dhe u thyen xhamat e një objekti që ndodhet pranë vendit ku ishte parkuar automjeti.
Policia pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se makina është në pronësi të shtetasit Ndok Rajta 42 vjeç nga Dibra banues në Tiranë. Rajta është pronari i një pike inertesh, e cila ndodhet pikërisht pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Ai kishte parkuar automjetin dhe më pas ishte larguar me një mik të tijin për një kafe, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
“Në momentin që ka ndodhur shpërthimi nuk ka pasur të lënduar. Copëzat e mjetit janë përhapur në një distancë rreth 70 metra. Nuk dihet ende nëse personi që ka makinën ka lidhje me pikën e inerteve që ndodhet pranë. Ekspertët po këqyrin provat materiale në mjetin që ka shpërthyer me targa AA 946 EF”, bënë të ditur burime nga vendi i ngjarjes. Gjatë dëshmisë së tij, pronari i mjetit dëshmoi për policinë se mjetin e kishte parkuar aty që prej orës 07:30 të mëngjesit.
42-vjeçari i tha policisë se nuk kishte probleme apo konflikte. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia konstatoi se autorët kanë aktivizuar një sasi prej rreth 200 gramësh tritol në pjesën e poshtme të automjetit. Dyshohet se mekanizmi i shpërthimit është realizuar me komandim në distancë. Deri më tani policia nuk ka persona të dyshuar për ngjarjen. Ai nuk rezulton po ashtu të ketë rekorde kriminale në Shqipëri.
Para katër ditësh u hodh në erë me tritol një makinë në Vlorë dhe si pasojë u plagos rëndë drejtuesi i saj. Makina tip “Jeep” me targa AA 298 CL, me drejtues 25-vjeçarin Ines Hajrulla, ka shpërthyer gjatë lëvizjes në lagjen “Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit. Si pasojë e shpërthimit i riu ka humbur dy këmbët dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Kanë qenë kalimtarët e rrugës, ata që kanë bërë të mundur të nxjerrin Inesin nga automjeti dhe e kanë dërguar në spital.
Shumë dëshmitarë kanë parë makinën që ka shpërthyer për shkak të vendosjes së një sasie eksplozivi në lagjen “Isa Boletini” në zonën e njohur si Uji i Ftohtë në qytetin e Vlorës. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, makina ka shpërthyer sapo kishte dalë nga lavazhi rreth orës 10:30 minuta.
Nga shpërthimi makina ka bërë një trajektore prej gati 100 metra dhe më pas është përplasur me një mjet tjetër. Ata që kanë ndihmuar djalin të dilte nga makina kanë thënë se i riu kishte plagë të rënda në të dyja këmbët. Mësohet se 25-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Burime nga policia bëjnë të ditur se, makina nuk ka qenë në pronësi të 25-vjeçarit, por të një personi tjetër. Dyshohet se makina është hedhur në erë me eksploziv të komanduar dhe më konkretisht për 300 gramë C4. Ky është mjeti i dytë që digjet në Vlorë në një kohë fare të shkurtër, pas një zjarrvënie të qëllimshme në një mjet tip “Audi” mesnatën e së dielës.