Heynckes, deri në fund të sezonit

Shefi ekzekutiv i Bayernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge, ka konfirmuar zyrtarisht se trajneri aktual i kampionëve në fuqi të Bundesligës, Jupp Heynckes, do të largohet në fund të këtij sezoni. Rikthimi i Heynckes në stolin e klubit bavarez, pas një starti të dobët të sezonit me Ançelotin, ka rezultuar i suksesshëm, me gjermanët që rigjetën fitoret dhe shënojnë vetëm një rezultat negativ, atë ndaj Gladbach-ut fundjavën e kaluar. Por, pavarësisht punës së jashtëzakonshme, 72-vjeçari nuk ka ndërmend të qëndrojë më “Allianz Arena”, duke e theksuar se marrëveshja e tij ishte planifikuar që në fillim të zgjaste vetëm deri në 30 qershor të vitit 2018. Bavarezët duket se projektojnë tashmë për stolin e tyre gjermanin Joachim Low, trajneri që drejtoi Gjermaninë drejt suksesit në Kupën e Botës “Brazil 2014”. Por për 57- vjeçarin interes të madh ka shfaqur edhe Reali i Madridit. Opsionet e tjera që piketon Bayerni, në rast të mosarritjes së marrëveshjes me Low, janë pikërisht Jurgen Klopp (nëse i jep lamtumtirë Liverpoolit) dhe tjetri Thomas Tuchel, ish-trajneri i Borussia Dortmund.
Tre kandidatët për të pasuar Heynckes
Jurgen Klopp mund të rikthehet në Gjermani. Trajneri i Liverpool-it është shndërruar në një kandidat serioz për të marrë drejtimin e Bayernit të Mynihut sezonin e ardhshëm. Mediat gjermane bëjnë me dije se, momentalisht, tekniku i “The Reds” është vendosur në qendër të kritikave në Angli për shkak të performancës së skuadrës dhe, nisur nga ky fakt, një largim i mundshëm i 50-vjeçarit nuk përjashtohet.
Momentalisht bavarezët po drejtohen nga Jupp Heynckes, i cili ka një marrëveshje me drejtuesit e klubit deri në fund të sezonit. Klopp është një personazh shumë i respektuar në radhët e Bayernit, kështu që në verën e ardhshme palët mund të nisin bisedimet. Sidoqoftë, nuk është vetëm emri i tij që përflitet si pasardhës i i Heynckes. Lista pasurohet edhe me dy emra të tjerë: Thomas Tuchel, një tjetër ish-verdhezi, dhe Joachim Low. Për trajnerin aktual të “Pancerave” tratativat duken disi të komplikuara, pasi ai ka kontratë me Kombëtaren deri në vitin 2020.