Conte përfundon në tribunë!

Grinta e Antonio Contes në fushën e lojës nuk njeh limite. Trajneri italian i Chelsea-it, i cili njihet për karizmën e tij, ka përfunduar në qendër të vëmendjes së mediave për një episod të çuditshëm të regjistruar në sfidën e kësaj të mërkure ndaj Swansea-it në Premier League. Conte shfryu ndaj gjyqtarit kryesor Swarbrick për një goditje këndi të padhënë në favor të Bluve të Londrës. Irritimi i Contes dhe ofendimet ndaj arbitrit ishin të mëdha aq sa gjyqtari u detyrua ta largonte nga fusha me karton të kuq italianin në fundin e pjesës së parë ndaj Swansea me Conten që e ndoqi nga tribunat e “Stamford Bridge” pjesën e mbetur të ndeshjes.
Chelsea ka fituar me vështirësi ndaj Swansea-t. Conte kishte zgjedhur të bënte rotacion duke lënë pushim lojtarë të rëndësishëm si Hazard dhe Azpilicueta. Gjithsesi, pas shumë tentativash për të shënuar me Morata dhe Pedro, ishte Rudiger ai që zhbllokoi rezultatin, duke shënuar edhe golin e vetëm të ndeshjes ndaj një Swansea që u mbrojt mirë, por që nuk arriti të ruante portën e paprekur deri në fund të takimit. Chelsea me këtë fitore ruan vendin e tretë.