Aureola kallp e rritjes ekonomike

 

“Monitor”

Parashikimet janë që këtë vit, rritja ekonomike të ankorohet rreth 4%. Nëse qeveria do të administrojë rreziqet, që nuk janë pak, një rezultat i ngjashëm mund të merret edhe vitin tjetër.
Çdo shifër mbi zero është e mirë dhe po të shikohet rruga nga u nis (pas krizës ndërkombëtare), rritja e Shqipërisë krahasuar me veten e nxit optimizmin.
Por ka një përpjekje politike për ta shumëfishuar rezultatin përtej faktit dhe për t’i dhënë kësaj rritje më shumë merita se sa ajo ka. Sepse zhvillimi i deritanishëm mund të jetë një start për më tej, por nuk arrin të përgjigjet se kujt i shërben ai?
Banka e Shqipërisë vërejti së fundi se, pavarësisht trendeve, ekonomia është nën potencial dhe po frenon rritjen e pagave dhe pensioneve. Pra, kemi një produkt statistikor dhe politikë të mirë, por që duan t’i vendosin mbi krye një aureolë që nuk i shërben qytetarit.
Institucionet ndërkombëtare prej kohësh kërkojnë ta zbresin me këmbë në tokë qeverinë. Ata i kujtojnë asaj se, Shqipëria është në kurthin e vendeve me të ardhura të mesme që nuk po mundet të kapë vendet më lart, për shkak të mungesës së reformave, që qeveria ka në dorë për t’i bërë dhe nuk po i bën. Ndaj BERZH, edhe këtë herë, e vlerësoi vendin tonë me notën katër (renditja nga 10-
1) për shkak të qeverisjes së dobët.
Rritja ekonomike ka ardhur deri tani për të tjerë faktorë dhe pak prej qeverisjes, të paktën për dy arsye. Së pari, nga iniciativat e vetë agjentëve ekonomikë dhe nga përmirësimi i mjedisit ekonomik tek partnerët kryesorë tregtarë. Sikundër vërejti në raport, B.Sh. tha se investimet në ekonomi nuk u ndihmuan nga kredia po kapitali vetjak i biznesit, ndërkohë që të paktën, Greqia, më e drobitura nga kriza e borxhit po shfaqet me rritje ekonomike 0.8% dhe Italia 1.5%.
Por sa duhet të jetë rritja ekonomike?
Sa më shumë, aq mirë, mund të thotë çdokush. Por më parë duhet të kuptojmë se jemi larg dhe kemi shumë rrugë për të bërë. Banka Botërore thotë se, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë katër herë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian. Eurozona ka sot një ritëm rritje rreth 1.75% dhe Shqipëria 4$, por me të ardhura mesatare rreth 4 mijë euro në vit do të na duhen 50 vjet për të barazuar, sikur europianët të mos ecnin më shpejt se tani. Por nëse vendet e tjera do të dyfishonin shpejtësinë, për të mos rritur distancën e 50 viteve, do të duhet të kishim një rritje ekonomike të paktën 8-10%.
Po mirë, a po bëhen përpjekje dhe a ka garanci që të dalim nga ky kurth. Qeveria përmend buxhetin si garanci.
Megjithëse BB e ftohu gjellën që po del nga furra, ku parashikoi rritje nën 4%, qeveria thotë se në vitin 2018 do të bëhen investime sa nuk janë bërë ndonjë vit më parë. Por nëse shohim strukturën e këtij buxheti, vihet re lehtësisht se, ambiciet për investime që rrisin ekonominë mbështeten mbi shërbime me çmime dhe taksa të larta. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka taksat më të larta të konsumit, punës dhe kapitalit, por qytetarët e saj nuk janë më të pasurit e rajonit.
Edhe pse vende si Maqedonia, Serbia, për momentin e kanë rritjen ekonomike më të ulët, ato nuk kërkojnë ta rikuperojnë përmes rritjes, duke rënduar qytetarin, por përkundrazi duke rritur fuqinë blerëse të tij. Se si duhet të jetë ekonomia shqiptare ka me qindra rekomandime. Se sa duhet të jetë rritja e saj mjafton që ajo t’i shërbejë qytetarit dhe jo të jetë dekoratë për qeverinë.