1.6 tonët e drogës nga Himara, mediat greke: U trafikua nga rrjetet e ish-ministrit Tahiri

Dosja e gomones me 1,6 ton drogë, që u kap në fundjavë në Greqi, ka lidhje me rrjetet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas autoriteteve greke, trafikantët janë po të njëjtët që trafikonin sasi të mëdha kanabisi drejt Italisë, madje janë të njëjtët që mbanin lidhje me njerëz të Saimir Tahirit, por që sot kanë ndryshuar itinerar. Destinacioni final i trafikut të drogës nga Shqipëria mbetet Italia, por kontakti me grekët është bërë i nevojshëm pas goditjeve që i dha bandave Guardia di Finanza.

Ekathimerini i referohet autoriteteve greke kur flet për lidhjet e trafikantëve që plagosën dy oficerë greke në ndjekjen e gomones me kanabis. Autoritetet thanë se të dyshuarit kanë lidhje me rrjete të trafikut të drogës, që prokuroria shqiptare një muaj më parë i akuzoi për lidhje me ish Ministrin e Brendshëm. Për më tepër, një burim i tha Kathimerinit se të njëjtat rrjete të trafikut qëndrojnë pas dy tentativave- në Prill dhe Shtator- për të trafikuar sasi të mëdha të hashashit nga Shqipëria në Itali”, shkruan media greke. 11 trafikantë të drogës u arrestuan të shtunën pas një aksioni dramatik në mes të detit, ku u përdorën snajperët dhe helikopterët shkruan Ekathimerini.

Gazeta e madhe greke, Kathimerini që i referohet burimeve nga hetuesia shkruan se, grupi që u kap të shtunën dhe të dielën kishte bërë edhe dy tentativa të tjera për të transportuar sasi të mëdha droge. E para ishte  një ngarkesë prej 1,5 ton kanabis për Itali. Atëherë ishin arrestuar 2 grekë dhe 5 shqiptarë. Në të dytën, ishte kapur nje sasi prej 2,3 ton kanabis dhe ishin arrestuar një shtetas italian, 63 vjeç dhe një shqiptar, 24 vjeç. Të dy operacionet ishin zhvilluar në bashkëpunim me  Guardia di Finanza.

Në të dy këto raste, ashtu si dhe të shtunën, mjetet e transportit i përkisnin një biznesmeni grek që u arrestua të dielën në vazhdën e operacionit që pasoi kapjen e gomones me 1,6 ton kanabis.

63-vjeçari është një biznesmen i njohur që ka dy restorante me emër, një në ishullin kozmopolit Mykonos dhe një tjetër në sheshin Kolonaki, një nga zonat më të shtrenjta të Athinës.

11 të arrestuarit gjatë të shtunës e të dielës kanë kërkuar t’u jepet një afat para se të paraqiten në hetuesi. Kështu, ata do të fillojnë të paraqiten me radhë nga e mërkura, të enjten dhe të premten.

Sipas avokatëve mbrojtës, njëri prej të arrestuarve akuzohet si drejtues i organizatës kriminale, ndërsa të tjerët si pjesëmarrës në këtë organizatë. Gjithashtu nga tre personat që ndodheshin në bordin e  gomones, dy shqiptare dhe një italian, akuzohen edhe për rezistencë ndaj  autoriteteve dhe njëri prej tyre edhe për armëmbajtje pa leje.

1.6 ton kanabis u kapën në zonën mes ishujve Xia dhe Makronisos. Dy oficerë policie u plagosën nga plumbat që vinin nga gomonia e trafikantëve të drogës. Tre personat në skaf, dy shqiptarë dhe një italian ranë në pranga, ndërsa tetë të tjerë, një italian, katër shqiptarë, dy grekë dhe një bullgar u arrestuan në fundjavë. Mes të arrestuarve është edhe një biznesmen 63 vjeçar grek, pronar i një restoranti të njohur në Mikonos. Ka qenë ai që vuri në dispozicion të trafikantëve tre skafe të shpejtë për transportin e drogës.