Zyrtarë të lartë pas 1.6 tonëve të drogës, nga Himara në Greqi

Policia greke ka zbardhur detaje të reja për operacionin anti-drogë që çoi edhe në kapjen e gomones me 1.6 ton drogë të nisur nga Himara. Policia greke publikoi të dielën pamjet e ndjekjes së gomones me drogë të nisur nga Shqipëria, në bordin e së cilës ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian. Polica greke dyshon se me këtë grup është përballur edhe 10 ditë më parë gjatë transportimit të një sasie tjetër kanabisi, që dyshohet se ishte nisur po nga Shqipëria. Pas peshimit, sasia e drogës rezulton 1.6 tonë, por policia greke dyshon se një pjesë e ngarkesës bashkë me armët kallashnikov dhe aparatet celularë janë hedhur në det gjatë ndjekjes.
Në një konferencë për shtyp, policia greke konfirmoi se është angazhimi maksimal i të gjitha institucioneve ligjzbatuese greke, për të shkatërruar këtë grup trafikantësh. “Në skaf ndodheshin dy shqiptarë dhe një italian, të cilët u arrestuan. Ndërkohë, që u sekuestrua edhe një sasi prej 1.6 tonë lëndë narkotike. Gjithashtu në sajë të hetimeve që u nisën për ngjarjen, u arrestuan edhe pjesëtarë të tjerë të grupit me role të ndryshme në trafikimin e lëndëve narkotike, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 10 persona, ndër të cilët 6 shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një shtetas grek. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë”, u shpreh Nikolaos Lagadianos, zëdhënës i Rojës Bregdetare greke.
“Ky operacion ishte shumë i rrezikshëm për një sërë arsyesh, pasi ata përdorin gomone shumë të shpejta. Trafikantët mbanin me vete armë si dhe ata bënin manovrime të rrezikshme në det edhe prej faktorit të errësirës”, tha Giannis Argiriu, shef i Sigurisë së Rojës Bregdetare.
I gjithë operacioni i fundjavës u filmua nga kamerat e fuqishme të një helikopteri të policisë greke. Mjeti lundrues u pikas fillimisht në Korfuz dhe ndjekja vijoi deri në Kallamata për të përfunduar pranë ishullit të Keas në Jug të Athinës.
Pas ndjekjes për disa orë dhe shkëmbimit të zjarrit, trafikantët dorëzohen, duke ngritur duart lart pas plagosjes edhe të njërit prej tyre. I plagosuri dhe shqiptari i dytë që ndodhej në gomone, janë të dy nga Saranda. Policia e Sarandës ka ushtruar kontroll në banesat e tyre, ndonëse nuk e konfirmon zyrtarisht këtë fakt. Përveç tre personave në gomone, numri i përgjithshëm i të arrestuarve nga policia greke ka shkuar në 10 persona, 6 nga të cilët janë shqiptarë, por mes tyre ka edhe shtetas grekë dhe italianë.
Sikurse njofton korrespondenti i “Top Channel” në Athinë, që i referohet burimeve greke, autoritetet shqiptare kanë kontaktuar me palën greke që në fundjavë. Por policia greke nuk u ka dhënë asnjë detaj, duke u përgjigjur se bëhet fjalë për një operacion në zhvillim e sipër.
Të njëjtat burime që e njoftuan ekskluzivisht korrespondetin e “Top Channel” për mbërritjen e skafit në Portin e Pireut, thonë se pala greke ka dyshime të forta se pas këtij grupi kriminal ka interesa komplekse politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Rasti i Klement Balilit, për të cilin pala greke informoi autoritetet shqiptare dhe që sot është i lirë, mesa duket i ka bërë autoritet greke skeptike për të informuar palën shqiptare për rastin në fjalë.
Kjo mungesë totale komunikimi shpjegon mesa duket edhe heshtjen e derisotme të Policisë së Shtetit për ngjarjen, ngjarje, e cila ndodhi vetëm 2 ditë pas vizitës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në Athinë dhe takimeve të tij me homologun grek.

 

I njëjti grup trafikoi 1 vit më parë një ngarkesë droge me vlerë 10 milionë euro

Policia bregdetare greke publikoi të dielën e 26 nëntorit, detaje nga operacioni për asgjësimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, pas ndalimit të një gomoneje me një sasi të konsiderueshme kanabisi, që vinte nga Shqipëria. Në komunikatën e publikuar të dielën pasdite, autoritetet greke kanë përshkuar me hollësi operacionin e mirorganizuar, pas përpunimit të informacionit përkatës. Krahas anijeve të policisë bregdetare janë mobilizuar helikopterë të agjencisë europiane “Frontex”, si dhe desantë e snajpera të Forcave Speciale. Ata u vendosën në pika kyçe, nga mendohej se do të kalonte itinerari i skafit të drogës.
Gomonia ka qenë nën survejim që kur u drejtua për në brigjet shqiptare, ku mori ngarkesën e drogës dhe pastaj, kur hyri në ujërat greke, u tentua pa sukses ndalimi i tij. Gomonia kishte tre motora nga nga 350 kuaj fuqi dhe manovronte lehtësisht. Gjatë përndjekjes që pasoi, nga gomonia u qëllua mbi një një skaf të policisë bregdetare greke, dhe në përpjekje për t’iu shmangur plumbave, disa grekë ranë në ujë, duke pësuar lëndime të lehta.
Më në fund, pas shumë orësh, gomonia u ndalua në zonën detare midis ishujve Makronisos dhe Kea, pranë Athinës. Ndalimi u bë i mundur, pasi snajperat që ndodhshin në një helikopter arritën të godisnin gomonen, duke i eliminuar mundësitë për manovrime të tjera.
Në bordin e gomones ndodheshin dy shtetas shqiptarë dhe një italian që u arrestuan. Në komunikatë thuhet se njëri prej të arrestuarve u dërgua në Spitalin “Evangelismos” për arsye profilaktike, por nuk sqarohet nëse kjo u bë për shkak të ndonjë plage, si dhe nuk bëhet e ditur shtetësia e tij.
Sasia e kanabisit që tansportonte gomonia ishte 1,6 tonë, ndërkohë që gjatë përndjekjes trafikantët kishin flakur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.
Ndërsa gomonia dhe tre të arrestuarit po i drejtoheshin Portit të Pireut, në Athinë po zhvilloheshin operacione paralele, ku u arrestuan shtatë persona të tjerë, katër shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një grek. Gjithashtu u zbulua një tjetër gomone, me katër motora 350 kuaj fuqi, si dhe armë.
I njëjti grup dyshohet se 1 vit më parë ka humbur një ngarkesë droge me vlerë rreth 10 milionë euro, e cila është kapur nga policia. Në kuadër të këtij operacioni, rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar, policia greke ka zhvilluar një operacion në një hotel në Notia Proastia dhe ka arrestuar biznesmenin e njohur grek me banim në Mikono, S.K., 50 vjeç, i cili është pronar i një restoranti në Mykonos dhe një në Kolonaki. Dyshohet se biznesmeni grek është financues i organizatës.
Policia greke arriti të kapë gomonen me tre motorë dy ditë më parë, pas një operacioni 48 orësh ku u angazhuan në det të hapur forca të shumta policie, Rojes Bregdetare, “FRONTEX” me helikopter dhe mjete ujore. Mes skafistëve dhe autoriteteve ka pasur edhe shkëmbim zjarri, ku një prej shqiptarëve mbeti i plagosur.

Kush është biznesmeni, financues i grupit të drogës

Dy ditë pas operacionit të policisë greke, e cila ndoqi dhe kapi një gomone me 1.6 ton drogë të nisur nga Himara si dhe arrestoi në total rreth 11 persona, disa prej të cilëve shqiptarë është mësuar dhe personi që financonte grupin. Bëhet e ditur se ai është biznesmeni grek i arrestuar dje S.K., 63 vjeç (personi në foto). Mësohet se ai është pronar i një restoranti në Mykonos, ndërsa kishte hapur edhe një restorant në Kolnaki por e ka shitur. Ai donte të hapte një restorant të dytë në Kolnaki me vlerë 100 mijë euro, por është tërhequr pasi nuk plotësonte shumën e parave. 63-vjeçari investonte në blerjen e gomoneve. Gomonia e drogës e nisur nga Himara cila u kap nga policia bashkë me skafistët ishte blerë 300 mijë euro.
Burimet bëjnë me dije se 2 nga skafistët janë nga Saranda dhe i treti është italian. Njëri nga skafistët është identifikuar si Arban Baxheri, 32-vjec dhe tjetri me emrin Ervis, të dy nga Saranda. Dy personat janë me precedentë penalë, ndërsa skafisti italian është 62 vjeç, i skeduar për trafik narkotikësh. Për rastin në fjalë është informuar edhe policia e Sarandës e cila ka kryer disa kontrolle banesash ditën e djeshme, por nuk ka gjetur lëndë narkotike apo të dyshuar.
Para 10 ditësh ka pasur një sherr mes këtij grupi kriminal në Korfuz i cili është kuptuar nga policia greke, por kur kanë shkuar në vendngjarje nuk i ka gjetur aty. Policia greke arriti të kapë gomonen me tre motorë dy ditë më parë, pas një operacioni 48 orësh ku u angazhuan në det të hapur forca të shumta policie, rojës bregdetare, me helikopter dhe mjete ujore. Gjatë ndjekjes ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes policisë dhe trafikantëve.

R.POLISI