Vasili: Blerja e votës, turp për Ramën dhe mësim i hidhur për ambasadorët që vlerësuan…

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar përmes një komenti në rrjetet sociale mbi studimin e BE-së, sipas të cilit 20% e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri janë blerë. Vasili në reagimin e tij shkruan, se ky është një turp për Kryeministrin, por edhe një mësim i hidhur për ndërkombëtarët në Tiranë që i vlerësuan zgjedhjet.
“Studimi i BE: 20% të votave u blenë. Çfarë turpi për Kryeministrin; por edhe mësim i hidhur për ndërkombëtarët në Tiranë që i vlerësuan.
Blerja e votave i shkatërroi zgjedhjet në 25 qershor. Studimi i BE që provon se të paktën 20% e votave u blenë.
Kjo është një damkë e zezë turpi për Kryeministrin dhe për deklaratat e pacipa të tij se zgjedhjet ishin normale.
Ky Kryeministër është as më shumë dhe as më pak se sa një blerës ordiner votash dhe rrënues i demokracisë dhe imazhit të vendit. Çdo orë e tij në pushtet është orë e fituar për pushtetin trafikantëve dhe kriminelëve që i paguan votat e Kryeministrit.
Studimi i BE për shitblerjen e votës në Shqipëri është një mësim i hidhur edhe për ata ndërkombëtarë, që u ekzaltuan dhe vlerësuan si pozitive zgjedhjet e turpshme të 25 qershorit”, shkruan Vasili.