Shifra zyrtare e BE: Qeveria bleu votat e 21% të shqiptarëve ose 140 mijë vota

Bashkimi Europian konfirmon se votat në zgjedhjet e 25 qershorit u blenë dhe se rezultati i prodhuar nga këto zgjedhje është i tjetërsuar dhe nuk reflekton vullnetin e lirë të qytetarëve. Studimi “Jeta informale e partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor” i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Instituti për Demokraci në Shkup gjeti se, Shqipëria kishte numrin më të lartë të votuesve që u është ofruar blerja e votës. Sipas raportit të besueshëm të BE rreth 20% e shqiptarëve kanë raportuar se u janë ofruar shuma parash në këmbim të votës. Për pasojë, raporti thotë se shkalla e blerjes së votës është e mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Duke ballafaquar thjeshtë të dhënat e nxjerra nga studimi i Bashkimit Europian dhe të dhënat zyrtare të numërimit rezulton se mbi 150 mijë vota janë të blerë, pa përfshirë këtu edhe një numër shumë të lartë shqiptarësh, probabiliteti i të cilëve është që të kenë marrë para për votën e tyre dhe të mos e kenë pranuar.
Konkretisht, në 5362 kutive në të gjithë vendin PS rezulton të ketë marrë 763.999 vota ose 48,33% e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, e kthyer në 74 mandate. Krahasuar ky numër votash me 4 vite më parë, PS rezulton të ketë një rritje me plot 50 mijë vota, çka tregon se ajo ka mundur të ruajë votat e saj të mëparshme, por edhe të marrë pjesën e saj te votuesit e rinj përmes blerjes së votave.

Studimi i BE: 700 mijë votues u përballën me presione politike

Megjithëse Shqipëria ka nivelet më të ulta të anëtarësimit në parti në rajon (7.9 për qind të popullsisë), 20.6 për qind të popullsisë i është ofruar para ose favore në këmbim të votës së tyre.
Sipas raportit, kjo do të thotë se gati 700,000 shtetas shqiptarë janë përballur me presione nga partitë politike.
Për më tepër, 5.6 për qind e të intervistuarve tregojnë se kanë pasur presion për të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga partitë, ndërsa 4.8 për qind kanë qenë nën presion për të votuar për një parti të caktuar.
Studimi përfundoi pak kohë më parë dhe ka referuar se 1/5 të anketuarve në Shqipëri dhe Malin e Zi kanë pohuar se u është ofruar para në këmbim të votës.
Për të realizuar këtë studim janë angazhuar në më shumë se 6 organizata në rajon dhe votuesve u është drejtuar direkt pyetja “A ju është ofruar para në këmbim të votës?”.
Veçanërisht, një në pesë të anketuar në Malin e Zi (22.5%) dhe Shqipëri (20.6%) raportuan se kanë marrë oferta parash ose favore në shkëmbim të një vote, ndërsa shifrat në Bosnjë dhe Kosovë ishin përkatësisht 15.4% dhe 12.5%.
Presioni ndaj votuesve është më i ulët në Serbi (8.4%) dhe Maqedoni (7.4%).
Studimi arrin në përfundimin se në secilin nga vendet e Ballkanit numri i votuesve që kanë marrë oferta për blerje vote përfaqëson një proporcion të konsiderueshëm të elektoratit, masë kjo që ndikon edhe në rezultatet e zgjedhjeve.
Numri i votuesve që janë në shënjestër me ofertën e blerjes së votës është më shumë se dy të tretat e votave për fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri dhe Malin i Zi, ndërsa tejkalon numrin e votuesve për fituesit në Bosnjë dhe Kosovë.
“Gjetjet tona nuk duhet të merren si një tregues i saktë i efektit të klientelizmit në rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, ato janë shumë afër realitetit të klientelizmit të blerjes së votës në Rajon”, thuhet në studimin e “Institutit për Demokraci” me qendër në Shkup.
“Gjetjet tona sugjerojnë se shkalla e klientelizmit është e mjaftueshme për të lëkundur rezultatet e zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Studimi ka gjetur gjithashtu se, partitë politike në vendet e Ballkanit ushtrojnë forma negative presioni të shoqëruara herë pas here me kërcënime për votuesit për të siguruar mbështetje politike.
Në Malin e Zi, 11.7% e të anketuarve raportuan se ata janë këshilluar nga menaxherët e tyre/bosi për të votuar për një parti të caktuar ditën e zgjedhjeve, ndërsa 7.5% thanë se atyre u është kërkuar që të marrin pjesë në aktivitetet e partisë.
Shifrat përkatëse janë 6% / 3.4% në Maqedoni, 5.5% / 5.1% në Kosovë, 5.2% / 6% në Serbi, 4.8% / 5.6% në Shqipëri dhe 4.5% / 3.3% në Bosnjë.