Shifra skandaloze, 400 milionë euro do të paguajmë për projektin Rama-Ahmetaj të djegies së plehrave

Kjo është shuma skandaloze që shqiptarët do të duhet të paguajnë brenda 10 viteve për vetëm tre inceneratorë që djegin plehrat në Shqipëri. Ku do të shkojnë këto para? Kjo mbetet ende e dyshimtë, sepse pas të gjithë kësaj afere qëndron një person anonim me vetëm një zyrë. Kryetari i PD, Basha e ka denoncuar skandalin duke deklaruar se pas kësaj afere që do të rëndojë xhepat e shqiptarëve është direkt Rama dhe Ahmetaj. Basha i ka kërkuar Prokurorisë që të nisë hetimet për atë që ai e konsideroi një aferë kriminale.
“Jam këtu bashkë me anëtarët tanë të Komisionit të Ekonomisë për të denoncuar një aferë të tmerrshme kriminale dhe korruptive, për të cilën Partia Demokratike ka ngritur zërin tash dy vjet.
Sektori i plehrave dhe mbetjeve është një nga sektorët kryesorë, ku Edi Rama ka dashur t’u lërë dorë të lirë interesave kriminale.
Paralel me projektin e kanabizimit të vendit, ka ecur me këtë projekt të kthimit të Shqipërisë në një kazan plehrash për Europën. Mbani mend të gjithë përpjekjen e tij për të kaluar Ligjin për Importin e Mbetjeve, të cilin vetë e kundërshtoi, kur ishte në opozitë.
Dhe, po kështu, e mbani mend që ishin qytetarët, Partia Demokratike, që e bën të pamundur kalimin e këtij ligji”, tha Basha.

Pse kemi një strategji shkatërruese

Strategjia e inceneratorëve u cilësua nga Basha si shkatërruese dhe fatale për vendin në tërësi, ndërsa argumentoi se çfarë ka ndërmend të bëjë Rama me aferën skandaloze të 400 milionë eurove për tre landfille
“Edhe pse ligji për lejimin e importit të mbetjeve u ndalua, për shkak të bashkimit të qytetarëve, për shkak të qëndrimit të qartë të opozitës dhe institucioneve të tjera, prapë Edi Rama po ecën me një strategji shkatërruese për vendin, që është strategjia e inceneratorëve, e djegësve të financuar nga buxheti i shtetit.
Pse është shkatërruese?!
Në rradhë të parë për njerëzit. Sepse është një politikë që bie ndesh me çdo standard, me normë europiane dhe me politikat europiane të trajtimit të mbetjeve, dhe këtë e keni parë edhe me qëndrimin e GIZ-it.
Së dyti, sepse është një politikë e rrezikshme për shëndetin publik, ndot ajrin dhe prodhon mbetje të rrezikshme në fund të proçesit.
Së treti, sepse nuk ndihmon as industrinë e riciklimit, që ishte një nga pretekstet për Ligjin e Importit, por mbi të gjitha projektet e inceneratorëve janë zbuluar si projekte dhe afera korruptive dhe kriminale.
Pse e themi këtë?!
Për momentin ka tre projekte për inceneratorë; është ai i Elbasanit, është ai i Fierit dhe ai i Tiranës.
Mediat kanë zbuluar tashmë dokumente dhe para publikut që të trija kontrollohen nga i njëjti person, i cili shërben si figurim për të fshehur pronarët e vërtetë. Duke patur parasysh shkeljet skandaloze të ligjit në ndërtimin e këtyre tre inceneratorëve, duket qartë që pronarët e vërtetë janë Arben Ahmetaj dhe Edi Rama. Sepse vetëm Arben Ahmetaj dhe Edi Rama mund të kishin guximin të jepnin 4.8 milionë euro ndërtuesit të inceneratorit të Fierit, akoma pa filluar punë.
Vetëm këta mund të kishin guximin t’i jepnin 10 milionë nga 11 milionë euro që është buxheti i vitit, për mbetjet në Shqipëri, ku pra 10 milionë i marrin vetëm këta të tre, Fieri, Tirana dhe Elbasani.
Në total sipas dokumenteve që ne disponojmë, bëhet fjalë për 400 milionë euro që do të paguhen nga 7-30 vjet për ndërtimin e inceneratorëve dhe tarifat që do të paguajë taksapaguesi shqiptar.
Shikoni çfarë po ndodh.
Marrin privatin për të ndërtuar inceneratorin, kundër strategjisë europiane të ndërtuar nga gjermanët, dhe bëjnë një partneritet publik me privatin, ku privati nuk merr asnjë risk përsipër, përkundrazi merr lekë nga buxheti i shtetit, edhe kur nuk djeg plehra, siç është rasti i Fierit.
Dhe e bëjnë këtë për një periudhë 6, 7 dhe 30-vjeçare, me një kosto totale prej 400 milionë euro.
Këto para në vend që të shkojnë për shkolla, në vend që të shkojnë për spitale po i jepen një privati, i një kompanie të vetme, e cila i fsheh pronarët e vërtetë, për të bërë një punë, e cila ndot mjedisin dhe prodhon mbetje të rrezikshme.
Kjo është një aferë kriminale.
Kjo është një aferë mafioze.
Ndaj thirrja ime është ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, të nisin menjëherë hetimin dhe të vënë pikat mbi “i”, për ata që po dëmtojnë shtetin publik të shqiptarëve nga njëra anë, dhe po grabisin fondet shtetërore, fondet e taksapaguesve shqiptarë nga ana tjetër.
Kjo është një aferë e përmasave kriminale dhe është faqja tjetër e medaljes së kanabizimit të Shqipërisë.
Me kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama eksporton drogë drej Europës, me inceneratorët importon mbetje.
Dhe ndërkohë që bëhet gati të importojë mbetje, krijon një aferë ku përfundojnë miliona euro në vit në duart e një njeriu të vetëm, i cili natyrisht nuk është përfituesi i vërtetë, por pas të cilit fshihen Edi Rama dhe Arben Ahmetaj”.

Basha, thirrje Prokurorisë të nisë hetimet

Kryetari i opozitës, Basha i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për këtë skandal dhe ka paralajmëruar botimin e plotë të dokumenteve.
“Thirrja ime, është nisja e menjëhershme e hetimeve për këtë skandal të rëndë, dëmton shëndetin e njerëzve, të fëmijëve shqiptarë, duke marrë lekët e shqiptarëve. Lekë që duhej të shkonin për spitale, lekë që duhej të shkonin për rrugë, lekë që duhej të shkonin për shkolla.
Shkollat, spitalet, rrugët po jepen me konçesion. Ndërkohë që privatët që marrin përsipër trajtimin e mbetjeve me teknologji aspak të pastër, paguhen me lekët që duhej të shkonin për shëndetin dhe arsimimin e shqiptarëve.
Kjo është afera që dua të denoncoj sot.
Ne kemi një studim të plotë të të gjithë dokumenteve shtetërorë. Ditët e ardhshme ekspertët tanë, por edhe drejtuesit politikë të institucioneve përkatëse, do t’i bëjnë publike qëndrimet tona.
Ndërkohë ju si media, që sot, do të keni në dispozicion dokumentacionin e plotë që vërteton dyshimet dhe akuzat që opozita ka dy vjet që i bën publike dhe i denoncon për këtë aferë të tmerrshme kriminale”, tha Basha.