“Katar 2022”, prezantohet stadiumi i parë i çmontueshëm

Një xhevahir inovativ, por që mbi të gjitha është miqësor për ambientin. “Ras Abu Aboud Stadium” do të jetë një prej impianteve ku do të luhen ndeshjet e Botërorit të Vitit 2022 në Katar.
Përveç dizajnit inovativ, e veçanta është se ky do të jetë stadiumi i parë në histori plotësisht i çmontueshëm. Struktura e impiantit do të ndërtohet me blloqe modulare dhe pjesë të lëvizshme, të cilat bëjnë të mundur që ai të çmontohet në disa pjesë, për t’u ndërtuar më pas në një tjetër zonë, sipas nevojës.
Kjo karakteristikë e veçantë e lejon impiantin që të ulë kapacitetin e tribunave, në rast të turneve më të vegjël. Për Kupën e Botës, që do të zhvillohet pas 5 vjetësh në Katar, stadiumi do të ketë kapacitet 40 mijë vende.
I projektuar në këtë mënyrë, stadiumi ka impakt minimal në ambient, edhe sepse ndërtimi me blloqe modulare bën që të evitohen mbetjet e karbonit gjatë proçesit të ndërtimit.
“Ras Abu Aboud Stadium” do të instalohet në brigjet e Dohas, fare pranë detit. Impianti do të vendoset në një zonë prej 450 mijë metër katrorë, do të jetë fare pranë aeroportit, ndërsa në vijën bregdetare pranë tij është planifikuar të ndërtohet një ndalesë për taksitë ujore. Sipas Komitetit Organizator të Botërorit në Katar, ndërtimi i stadiumit pritet të përfundojë në vitin 2020.