Hidhet në erë me tritol një makinë në Vlorë, humb dy këmbët 25-vjeçari

Një makinë u hodh në erë me tritol në Vlorë dhe si pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i saj. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në automjetin e djalit të një biznesmeni të njohur. Sipas burimeve, makina tip “Jeep” me targa AA 298 CL, me drejtues 25-vjeçarin Ines Hajrulla, ka shpërthyer gjatë lëvizjes në lagjen “Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit. Si pasojë e shpërthimit i riu ka humbur dy këmbët dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Kanë qenë kalimtarët e rrugës, ata që kanë bërë të mundur të nxjerrin Inesin nga automjeti dhe e kanë dërguar në spital.
Shumë dëshmitarë kanë parë makinën që ka shpërthyer për shkak të vendosjes së një sasie eksplozivi në lagjen “Isa Boletini” në zonën e njohur si Uji i Ftohtë në qytetin e Vlorës. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, makina ka shpërthyer sapo kishte dalë nga lavazhi rreth orës 10:30 minuta.
Nga shpërthimi makina ka bërë një trajektore prej gati 100 metra dhe më pas është përplasur me një mjet tjetër. Ata që kanë ndihmuar djalin të dilte nga makina kanë thënë se i riu kishte plagë të rënda në të dyja këmbët. Mësohet se 25-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Burime nga policia bëjnë të ditur se, makina nuk ka qenë në pronësi të 25-vjeçarit, por të një personi tjetër.
Dyshohet se makina është hedhur në erë me eksploziv të komanduar dhe më konkretisht për 300 gramë C4. Ky është mjeti i dytë që digjet në Vlorë në një kohë fare të shkurtër, pas një zjarrvënie të qëllimshme në një mjet tip “Audi” mesnatën e së dielës.
Sipas të dhënave, “Audi”, me targa AA 163 RX, ishte në pronësi të shtetasit G. Rukaj, banues në Tiranë. Ai ia kishte dhënë para pak ditësh makinën në përdorim vëllait të gruas, me profesion inxhinier ndërtimi, por që menaxhonte edhe një lokal pranë zonës së Ujit të Ftohtë.
“Më datë 26.11.2017, rreth orës 01:45, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë se në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, ka marrë flakë një mjet. Policia dhe shërbimi zjarrfikës kanë shkuar pranë vendit të ngjarjes ku kanë bërë të mundur edhe shuarjen e flakëve. Nga verifikimi paraprak ka rezultuar se mjeti tip ‘Audi’ është në pronësi të shtetasit G.R., banues në Tiranë, por ia ka lënë në ruajtje dhe e mban në përdorim kunati i tij, shtetasi J.M., 25 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga hetimi paraprak, dyshohet se ngjarja është e qëllimshme, pasi në pjesën e përparme të mjetit janë gjetur gjurmë lëndë djegëse (benzinë). Nga flakët, automjeti është djegur në pjesën e përparme, po edhe në brendësi të tij.
Sipas Policisë, 25-vjeçari Julian Malaj ka pohuar për grupin e hetimit se ai e kishte parkuar edhe herë të tjera në të njëjtin vend mjetin. Paraprakisht dyshohet se ngjarja të ketë lidhje me pronarin e “Audi”-t në Tiranë.
Por nuk ka të dhëna nëse ai ka precedentë apo konflikte. Gjithashtu, blutë nuk përjashtojnë as dyshimin që zjarrvënia të ketë lidhje me personin që e kishte në përdorim. Ky i fundit ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë, gjithsesi Policia dyshon për shkak të konkurrencës apo edhe ndonjë konflikt të mundshëm të 25-vjeçarit.