GIZ kundër ndërtimit të inceneratorëve: Janë të dyshimta

 

Shoqëria gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e njohur ndryshe si GIZ ka lëshuar kritika të forta mbi qeverinë shqiptare për ndërtimin e inceneratorëve në disa rrethe të vendit.
Në një intervistë për “Deutsche Ëelle”, Hermann Plumm sqaroi se procesi i incenerimit, është zgjidhja e fundit për qeverinë, e cila po shpenzon në mënyrë të gabuar qindra milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve.
“Incenerimi, një proces që kthen mbetjet në energji është zgjidhja e fundit. Fatkeqësisht më duhet të them që investimet më të mëdha po shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet”, tha Plumm.
Qeveria shqiptare ka dhënë 3 koncesione për ndërtimin e inceneratorëve në Bashkitë e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit me vlerë mbi 200 milionë euro.
Për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier, ky i fundit ende nuk është ndërtuar, qeverisë i ka kushtuar të paguajë plot 11 milionë euro nga buxheti, për vitin e ardhshëm.
“Ne si GIZ dhe shumë donatorë të tjerë në Shqipëri do të dëshironim të mbështesnin qeverinë dhe bashkitë që të krijojnë një sistem që fillon nga fillimi dhe jo nga fundi i hierariksë”, ka deklaruar Plumm.
Sipas Plumm, para së gjithash duhet të reduktojmë nivelin e mbetjeve, pastaj vjen ripërdorimi, pastaj riciklimi dhe në fund të gjithë mundësive, në fund të kësaj hierarkie, vjen incenerimi, që kthen mbetjet në energji.
Edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me problemin e trajtimit të mbetjeve. Sipas tij, Rama po bën të parën atë që duhej të bënte të fundit.
Duke u nisur nga intervista e dhënë nga përfaqësuesi i GIZ, Hermann Plumm në “Deutche Welle”, Vasili akuzon Ramën se po përdor strategjinë e gabuar në lidhje me këtë çështje, por sipas kreut të Grupit parlamentar të LSI-së, ‘shkollëpaku nuk dëgjon’.
Ja çfarë shkruan Petrit Vasili:
Kryeministri skandal me inceneratoret e mbetjeve, po GIZ-i gjerman që e kundërshton, kazan është?
Strategjia e trajtimit të mbeturinave duke vënë në plan të parë djegien (incenerimin) është tërësisht e gabuar, sigurisht që kjo është bërë me qëllim.
Kryeministri s’ka lënë vend, duke folur dhe inauguruar këtë medemek kryevepër, që e ka gjetur vetëm ai.
Kryeministri e ka kapur me qëllim për bishti problemin shumë të rëndë të mbetjeve. Ai po zbaton të parën atë që duhet të bënte të fundit. Kjo e fut në rrugën më të keqe trajtimin e mbetjeve, gjë që e dëmton rëndë vendin për sot dhe për dhjetëra vjet në të ardhmen.