Çako ndëshkon 30 oficerë pse verifikuan sistemin TIMS për Tahirin

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka marrë masa ndaj 30 oficerëve të policisë pse verifikuan sistemin TIMS për kalimin jashtë shtetit të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe babait të tij, Bashkim Tahiri. Denoncimi është bërë nga një oficer, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Terror i Haki Drogës, me urdhër të Noriegës, për Saimir Trafikun dhe Bashkim Tahirin! Lexoni mesazhin e oficerit dixhital”, shkruan Berisha.
“Mirëmbrëma Doktor. Sot më datë 27.11.2017 me porosi të Saimir Tahirit dhe Haki Çakos jemi thirrur në Drejtorinë e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë rreth 30 a më shumë oficerë policie të rretheve të ndryshme ku na është bërë njoftimi për fillimin e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë disiplinore. Sipas tyre, shkelja e rëndë eështë se ne paskemi bërë verifikime në sistemin TIMS për Saimirin dhe Bashkim Tahirin. Kemi mbetur të habitur se nuk po kuptojmë çfarë shkelje është kjo dhe aq më pak çfarë shkelje e rëndë është të bësh verifikime për shtetas të ndryshëm në sistemin TIMS. Ju lutemi ta bëni publike këtë kërkojmë ndërhyrjen me autoritetin Tuaj prej deputeti që të parandaloni këtë maskarallëk, pasi neve mund të na ndëshkojnë dhe deri të na përjashtojnë nga Policia pa asnjë shkak apo motivacion”, shkruan oficeri i policisë.