Basha komenton raportin e BE për blerjen e votave: Rama, organizatë kriminale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi përmes rrjetit Facebook për fenomenin e shitblerjes së votës. Sipas një studimi të financuar nga Bashkimi Europian, është zbuluar se të paktën një e pesta e votuesve iu është ofruar para ose favore në shkëmbim të votës. “Në Shqipëri, votat janë blerë në mënyrë masive. Një studim i financuar nga BE ka zbuluar se mbi 20 për qind të votuesve u është ofruar para ose favore në shkëmbim të votës. Numri i vërtetë është edhe më i madh, po të kihet parasysh se shumë persona zgjedhin të mos e tregojnë këtë të vërtetë. Studimi është një tjetër tregues i blerjes masive të votave nga Edi Rama me anë të parave të drogës dhe të krimit”, thuhet në reagimin e Bashës. Sipas Bashës, ky pushtet është ilegjitim ndaj dhe Rama e ka kthyer qeverisjen në një organizatë kriminale. Sipas tij, vetëm një qeveri antimafia do i hapë rrugën pastrimit të politikës nga krimi. “Një pushtet që merret me krim, mund të mbahet vetëm me më shumë krim. Prandaj, qeveria Rama u kthye gradualisht në një organizatë kriminale të përfshirë direkt në mbështetjen e trafikimit të drogës, në pastrimin e parave të drogës me anë të PPP-ve, në zhvillimin e një industrie mafioze të plehrave dhe aktivitete të ngjashme. Në të njëjtën mënyrë, Edi Rama do të vazhdojë të zhytet edhe më thellë në krim çdo ditë e më shumë, që ai do të jetë në pushtet. Prandaj krijimi i një qeverie antimafia që i hap rrugë një reforme të mirëfilltë zgjedhore është hap i parë dhe i domosdoshëm për kthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe fillimin e pastrimit të politikës nga krimi”, tha Basha.