Alaves shkarkon De Biasin për rezultate të dobëta

Gianni De Biasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të Alaves në Primera Division. Klubi spanjoll e zyrtarizoi vendimin nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku sqaronte ndërprerjen e kontratës me ish-trajnerin e Shqipërisë, i cili vetëm pak kohë më parë zëvendësoi Zubeldian. “Klubi bardhekaltër ka vendosur në ndërpresë kontratën me Gianni De Biasin, pas rezultateve të dobëta të javëve të fundit. Për momentin, skuadrën do ta drejtojë Javier Cabello. E falënderojmë De Biasin për punën e kryer në këtë periudhë dhe i urojmë fat në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
De Biasi, në eksperiencën e tij të dytë në La Liga (ka drejtuar Levanten në sezonin (2007-2008), e mori Alavesin në vendin e fundit të renditjes, me zero pikë dhe zero gola të shënuar në pesë javët e para. Pavarërisht pritshmërive të larta, nuk mundi të ndryshonte shumë gjëra, duke koleksionuar 2 fitore dhe 5 humbje në 7 ndeshje në pankinë (plus një fitore në Kupën e Mbretit ndaj Getafes). Pas javës së 13-të, skuadra baske vijon të klasifikohet e fundit me 6 pikë.
Ai u thirr në detyrë në kërkim për të rifutur ekipin e La Ligës në rrugën e duhur për mbijetesën mes më të mirëve, pas një nisjeje jashtëzakonisht të keqe të këtij sezoni, por edhe ai nuk ka mundur të bëjë gjë në këtë drejtim, duke regjistruar 6 humbje në 8 ndeshje të zhvilluara. Në këto takime, skuadra e drejtuar prej De Biasit ka shënuar vetëm 7 gola dhe ka pësuar 16 të tillë. Fatale për fatet e teknikut italo-shqiptar kanë rezultuar dy humbjet e fundit radhazi me Getafen dhe Eibarin.
Alaves, pas një sezoni të mrekullueshëm të zhvilluar vjet, që e përfundoi me 55 pikë në La Liga dhe vetëm një hap larg rekordit të vitit 1999-2000, ndërkohë që humbi finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës me rezultatin 3-1, tashmë gjendet në vendin e fundit të La Ligës dhe e distancuar me 6 pikë nga vendi i 4-t nga fundi i mbajtur nga Deportivo La Coruna.
Kjo, gjithsesi nuk është eksperienca e parë e De Biasit në kampionatin spanjoll, teksa ka drejtuar më parë edhe Levanten në sezonin 2007-2008. Edhe atëherë gjërat nuk i shkuan më mirë sesa tani: trajneri italian u shkarkua, ndërsa Levante zbriste nga kategoria në fund të sezonit.