Ballina Aktualitet Aksidenti, shpejtësia e eskortës së Ramës shkakton 5 të plagosur

Aksidenti, shpejtësia e eskortës së Ramës shkakton 5 të plagosur

Dy automjete të eskortës së Kryeministrit Rama që po ecnin me shpejtësi skëterrë u përfshinë në një aksident në hyrje të qytetit të Korçës. Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Çiflik, si pasojë e shpejtësisë së madhe të eskortës së Kryeministrit. Si pasojë e aksidentit janë plagosur dy gardistë dhe shoferi i eskortës së Ramës, ndërsa dy persona që udhëtonin në “Golf 5” janë dëmtuar më lehtë.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, njëra nga makinat e eskortës së kryeministrit është përplasur me një makinë tip “Golf” për shkak të shpejtësisë së madhe, më pas është përplasur edhe makina e dytë e eskortës, duke marrë përpara një makinë që ndodhej e parkuar anës rrugës.
Mjeti ku udhëtonte Kryeministri Rama nuk është përplasur, por dy makinat e eskortës së tij janë përplasur dhe dy prej shoqëruesve të Ramës dhe shoferi i tij janë plagosur.
Tre punonjësit e Gardës janë dërguar në Spitalin e Korçës, të cilët, pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal janë nisur për mjekim më të specializuar me helikopter drejt Tiranës. Mësohet se dy prej tyre do të nisen për në Turqi, pasi janë në gjendje të rëndë për jetën.
Në kohë rekord, policët e Korçës kanë nxjerrë rezultatin e hetimeve për aksidentin, duke shfajësuar eskortën e kryeministrit. Në një njoftim për mediat, pak minuta pas aksidentit të eskortës së Ramës në Korçë, policia thotë se fajin e ka drejtuesi i mjetit tip “Golf”. Në një njoftim për shtyp thuhet se, “mjeti tip “Voslkswagen”, që udhëtonte në krah të kundërt me eskortën, duke mos respektuar largësinë dhe për shkak të shpjetësisë e lagështisë në rrugë ka goditur makinën e katërt në radhë të eskortës, e cila ka dalë nga rruga”.
Servilizmi dhe frika për ndëshkimin që mund t’i vijë nga Tirana, e kanë bërë policinë të japë një njoftim qesharak dhe të turpshëm, duke fajësuar drejtuesin e mjetit “Volkswagen”, ende pa u mbyllur hetimet.
Ndërsa policia fajëson drejtuesin mjeti tip “Golf”, dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, faji për aksidentin është i dy makinave të eskortës së kryeministrit Rama, pasi po ecnin me shpejtësi të madhe.

Policia nxiton të shpallë fajtor qytetarin

Ende nuk ka dalë një ekspertizë e saktë për dinamikën e aksidentit të dy makinave të eskortës së kryeministrit, por ajo që vihet re është se Policia e Shtetit 15 minuta pas aksidentit nxiton të shpallë fajtor drejtuesin e makinës private “Golf 5”. Në njoftim për mediat thuhet se: “Në aksin rrugor Maliq-Korçë pranë fshatit Bulgarec, ka ndodhur një aksident rrugor. Nga të dhënat e para rezulton se në aksident janë përfshirë 4 automjete, ku dy janë të eskortës së Kryeministrit si dhe një mjet tip “Volkswagen” me targë AA 426 FD dhe një “|Range Rover” me targë AA 313 DX. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre punonjës të Gardës K.Ll, E.M, dhe Sh.P, të cilët po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht mësohet se mjeti tip “Voslwagen”, që udhëtonte në krah të kundërt me eskortën, duke mos respektuar largësinë dhe për shkak të shpjetësisë e lagështisë në rrugë ka goditur makinen tip ‘Range Rover’ që udhëtonte para tij dhe uli shpejtësinë, e më pas makinën e 4-rt në radhë të eskortës së kryeministrit, e cila ka dalë nga rruga”, deklaron Policia e Korçës.
Por gazetarë në vendin e ngjarjes thanë se mjeti “Mitsubishi” që ishte pjesë e eskortës së Ramës është dëmtuar shumë. Ka qenë “Mitsubishi” me targa MB 277 AA, i cili është përplasur me makinën “Golf” me targë AA 426 FD në emër të Aleksandër Naçi”. Më pas, në aksident është përfshirë edhe “Toyota” e Gardës, e cila ka përfunduar në kanal.
Bëhet e ditur se tre punonjës të Gardës, Ervin Musai, Klodian Llaka dhe Shkëlqim Pojana (shofer) kanë mbetur të lënduar si dhe dy persona të tjerë, të cilët ndodheshin në automjetin “Golf”. Tre gardistët e lënduar udhëtonin me makinën “Toyota”.

Dëshmitari: Aksidenti u shkaktua nga eskorta e Kryeministrit

Dëshmitarë okular në vendin e ngjarjes bënë të ditur se aksidenti në hyrje të Korçës u shkaktua nga makinat e eskortës së Kryeministrit Rama për shkak se po ecnin me shpejtësi të madhe. Policia në një komunikatë zyrtare fajëson një makinë tip “Golf” për aksidentin me eskortën e Kryeministrit, por një qytetar dëshmitar okular në vendin e ngjarjes ka shtuar, duke thënë se faji për aksidentin është i eskortës së Kryeministrit. “Eskorta e Kryeministrit Rama po ecte shumë shpejt dhe njëra nga makinat e eskortës ka goditur një mjet civil, duke e dëmtuar shumë rëndë. Më pas, si pasojë e përplasjes ka ndodhur edhe aksidenti, duke u përfshirë në të edhe makina e eskortës që vinte pas dhe një mjet tjetër i parkuar në anë të rrugës. Si shkak i shpejtësisë së madhe, një nga makinat e eskortës ka përfunduar jashtë rruge”, u shpreh dëshmitari okular.
Ngjarja ka ndodhur në Bulgarec të Korçës, kur Rama ishte duke udhëtuar për në Korçë, ku do të zhvillohej mbledhja mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.

Exit mobile version