Ballina Sport U-21, Ndoj dhe Ramadani: Duam vendin e dytë në grup!

U-21, Ndoj dhe Ramadani: Duam vendin e dytë në grup!

Shpresat e Shqipërisë po vijojnë përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese të “Euro 2019”, që do ta luajnë të premten, në orën 18:00, ndaj Irlandës së Veriut, në “Selman Stermasi”. Në konferencë për shtyp, për të folur për këtë ballafaqim, por edhe aspekte të tjera kuqezi, kanë dalë sot në mesditë Emanuele Ndoj dhe Ylber Ramadani, të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, në Itali dhe Danimarkë, respektivisht. Ramadani do të jetë pjesë e Shqipëria U-21 për këtë kualifikuese, më pas do të udhëtojë drejt Turqisë, për t’iu bashkuar kombëtares së madhe për ndeshjen miqësore.
Në fjalën e tij, Ramadani nënvizoi: “Që nga dita e parë që kemi ardhur këtu kemi menduar vetëm për të fituar. Çdo lojtar pret që të luajë me kombëtaren. Një minutë, një minutë, vetëm të luajë. Unë do të vazhdoj të bëj punën time. Nëse e fitojmë ndeshjen të premten, mund të kemi shanse për kualifikim. Unë nuk do të kursehem aspak në fushë, pasi U-21 më ka dërguar në kombëtaren e parë. Duhet ta qarkullojmë topin sa më shpejt, pasi kundërshtarët luajnë me pasime të gjata. Objektivi ynë është vendi i dytë në grup, ndaj do të futemi në fushë për të fituar. Ndeshja është në Tiranë, ndaj dua të ftoj të gjithë shqiptarët që të na përkrahin në stadium”.
Nga ana e tij, Ndoj u shpreh: “Ne kërkojmë fitoren, sepse duam të shkojmë në Europian. Jemi përgatitur mirë dhe ishalla me fitore kundër Irlandës. Isha dëmtuar me kombëtaren e madhe dhe tashmë jam mirë fizikisht. Uroj të fitojmë kundër Irlandës. Këtë ndeshje duhet ta luajmë të përqendruar. Është një test për të gjithë lojtarët e rinj. Për mua duhet të kishim pasur më shumë pikë. Kemi demonstruar një lojë të mirë. Kemi humbur shumë raste, por ishalla marrim pikë me Irlandën”.

Exit mobile version