Buxheti, Rama 18.4 milionë dollarë për shpenzime luksi

Projektbuxheti për vitin 2018 nuk parashikon rritje pagash, e as pensionesh, parashikon rritje taksash për qytetarët e nga ana tjetër krijon një hapësirë të majme për shpenzime luksi e qeveritare.
Plot 18.4 milionë dollarë të këtij projektbuxheti do të shkojnë pikërisht për zërin e shpenzimeve të luksit.
Gjatë diskutimit për shpenzimet dhe investimet, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, theksoi se koncesionet po gërryejnë ekonominë. Ndërkohë që transferimin e investimeve publike në koncesione, Tabaku e ka cilësuar si një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin.
“U rritën me 30% nga viti i kaluar shpenzimet për koncesionet, duke kapur vlerën e 9,4 mld lekë dhe këtu nuk është llogaritur projektin 1 miliard euro për infrastrukturën. Qeveria ka dëshmuar se është e paaftë të realizojë investime publike dhe e orientuar nga praktikat korruptive, prandaj po i jep me koncesion. Qeveria është e paaftë për të bërë investimet publike dhe të gjitha investimet publike është duke i transferuar nëpër koncesione ose partneritete publik-privat siç keni dëshirë t’i quani ose siç preferoni ta quani. Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe koncesionet janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së”, tha Tabaku.
Nënkryetarja e Komisioni të Ekonomisë, Tabaku theksoi se qeveria në këtë projektbuxhet vazhdon të mos parashikojë rritje pagash, ndërkohë që rrit me 48 mln dollarë taksat. Një pjesë e mirë e të ardhurave që do të sigurohen nga rritja e taksave do të shkojnë për shpenzime. “Rriten me 15 mln USD shpenzimet e qeverisë ‘operative dhe mirëmbajtje’, 3.7% më shumë sesa viti 2017. Ulet me 19 mln USD fondet për infrastrukturën vendore dhe rajonale, një vlerë që është 21% më e ulët se sa vlera e alokuar për vitin zgjedhor 2017. Të njëjtin fat kanë edhe shpenzimet sa i takon investimeve për kanalet ujitëse dhe kullimit, të cilët janë ulur me 13% në raport me një vit më parë, pra 2.1 mln USD më pak”, tha Tabaku.
Qeveria ka parashikuar 18.4 mln dollarë rritjen e shpenzimeve për rikonstruksione zyrash, pajisje zyrash dhe makinash. “Sipas një llogarie të thjeshtë me 18.4 mln USD që qeveria mund të kishte kursyer në këtë zë luksi mund të sigurohej 2 vjet e gjysmë pagesë papunësie, 92% e fondit vjetor për pagesat e ish të-përndjekurve politikë dhe rritja e pagave”. Zonja Tabaku ngriti shqetësimin dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, të cilët qeveria i përdor për show sa herë është në vështirësi. “Të përndjekurit politikë vazhdojnë të jenë grupi i harruar i qeverisë, ato vazhdojnë të marrin një vlerë prej 20 mln USD, një vlerë e cila edhe sipas raportit të KLSH është e pamjaftueshme dhe e zhvlerëson detyrimin që shteti jonë ka ndaj tyre. Sipas llogarive të KLSH, me këto hapa do të duhen rreth 16 vjet për ta shlyer vetëm detyrimin monetar ndaj tyre”, tha Tabaku.