48 milionë euro më shumë taksa për 2018

Viti 2018 do të nisë me acar për xhepat e qytetarëve shqiptarë. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, plot 48 milionë euro më shumë do të paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre nga paketa e re fiskale që sapo është kaluar. Në një intervistë për “RD”, deputetja demokrate njëkohësisht nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, bën një skaner të paketës së re fiskale të qeverisë, ndërsa ngre shqetësimet mbi rëndesën e kësaj pakete në buxhetet e familjeve shqiptare si dhe në ekonominë e vendit në tërësi.
– Qeveria ka përgatitur paketën e re fiskale, si përkthehet kjo paketë në buxhetet familjare të shqiptarëve?
Paketa Fiskale 2018 është tjetër akt në abuzimin tragjik që kjo mazhorancë, njësoj si e shkuara, po luajnë mbi ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve. Përgjatë katër viteve, qeveria rëndoi xhepat tanë me 1.5 mld USD dhe këto para nuk i ka shpenzuar për asnjë investim serioz. Të dhënat makro të vendit tregojnë një varësi të rritjes ekonomike nga IHD-të, ndërkohë që burimet tona ekonomike dhe ndërtimi i një ekonomie stabël nuk është prioritet i qeverisë.
Gjatë vitit të ardhshëm do të kemi lehtësi për pjesën e oligarkëve të qeverisë, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të rëndohet për të paguar borxhet që qeveria merr për lyerje fasadash apo edhe për projektin e madh të koncesioneve.

– Sa do të jetë barra fiskale që do të prekë çdo familje shqiptare?
Sipas të dhënave që kemi përpara paketa fiskale për vitin e ardhshëm do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve dhe bizneseve me 3,3 miliardë lekë ose 25 milionë euro, kjo shifër nuk përfshin vlerën që do të mbledhë qeveria, nëse vendos TVSH-në për bizneset e vogla nga 2 mln lekë. Nëse shtojmë edhe këtë shtesë, atëherë do të kemi një shtesë prej 11 mln euro, pra në total xhepat e shqiptarëve do të paguajnë 36 mln euro më shumë, pa llogaritur efektin zinxhir që ka vendosja e TVSH në rritjen e çmimeve dhe rënien e konsumit.
Rritja e taksave përkthehet gjithashtu edhe në rritje të faturës së koncesioneve që ne do të paguajmë për paratë që fitojnë bizneset pranë qeverisë. Sipas tabelës së pasqyruar nga Ministria e Financave, pesha e koncesioneve në buxhet rritet me 30% dhe kjo përkthehet në rreth 70 milionë euro.

– Çfarë do të sjellë kjo paketë fiskale në ekonominë e vendit?
Taksat e rritura do të thotë më pak biznese dhe sipërmarrje të reja, vendosja e TVSH-së për bizneset që nga 2 mln lekë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sipërmarrjes dhe me gjasë do të shoqërohet me mbylljen e aktivitetit të shumë bizneseve dhe rritjen e papunësisë. Mos harrojmë rreth 100 mijë biznese të vogla kanë të punësuar rreth 40% të shqiptarëve, politika sulmuese ndaj bizneseve të vogla do të prodhojë më shumë kaos dhe një rritje të papunësisë. Duket se qeveria nuk do të vrasë mendjen për mirë administrimin fiskal dhe as e ka fare në mendje politikat incentivuese, ajo ka vendosur gjithë potencialin e saj në shërbim të bizneseve pranë saj.

– Cilat janë problemet më akute të ekonomisë shqiptare?
Ne kemi një paketë fiskale shumë komplekse dhe taksat më të larta në rajon, bizneset nuk mund të zhvillojnë dhe shfrytëzojnë resurset tona natyrore për t’i përkthyer në fuqi ekonomike. Kjo prodhon një situatë kaotike, aq sa qeveria është e gatshme për pak investime të huaja të krijojë ligje të veçanta, ndërkohë që për bizneset edhe sipërmarrjet vendase imponon taksa të larta dhe shkatërrimtare. Sipas BB-së vendi sot varet tërësisht nga IHD të ardhura në kohën e qeverisë Berisha 2, ndërkohë që qeverisja Rama 1 dhe as Rama 2 nuk kanë firmosur ende një projekt ambicioz dhe serioz. Investimi i tyre ka qenë vetëm fasada dhe rëndim fiskal.

– A keni shifra të cilat tregojnë se si qeveria Rama ka degraduar performancën ekonomike në vend?
Qeveria ka disa ditë që lëvdon aksionet anti informalitet dhe se si këto aksione po ndihmojnë biznesin vendas, mirëpo sipas KLSH bizneset në vend krijuan të paktën 59 miliardë lekë detyrime të papaguara tek Tatimet në dy vitet e fundit. Të ardhurat në Buxhetin e Shtetit sa i takon mbledhjes së tyre janë njësoj sa në vitin 2012, pra 28% e PBB-së, duke mos pasur asnjë rritje përpos rritjes që ka ardhur si pasojë e rritjes së taksave.
Varfëria është gjithnjë e më e madhe dhe hapësira mes të pasurve dhe të varfërve sipas raportit të BB, “Migration and Mobility”, 6.3% e shqiptarëve jetojnë me 3 USD/ditë (pra diku tek 181 mijë persona), 20 mijë shqiptarë jetojnë me 1.9 USD/ditë dhe pjesa e madhe e shqiptarëve jetojnë me 5.5 USD/ditë. Kjo është një situatë më e rënduar se sa katër vjet më parë dhe vjen natyrisht edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave shtrënguese fiskale. Përqendrimi i parave në pak duar dhe një qeveri e angazhuar në mbrojtje të të paligjshmes janë shkaqet kryesore të kësaj gjendje të rënduar.

Arben Shahini