Zyrtarët vjedhin 5 milionë USD në doganën e Durrësit

Ish-kryeministri Berisha, ka denoncuar një tjetër vjedhje të madhe që po bëhet në doganën e Durrësit. Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një doganieri, i cili thotë se, zyrtarët po vjedhin 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit. Doganieri i shkruan Berishës se në këtë skandal është përfshirë edhe drejtoresha dhe drejtori i Antikontrabandës. “Ja si po i vjedhin zyrtarët 5 milionë dollarë në Doganën e Durrësit! Lexoni mesazhin i doganierit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Mirdita Dr, jam doganier në Durrës. Prej mëse 3 muajsh në Portin e Durrësit kanë ardhur 5 konteinerë me cigare pa pullë fiskale. Këto erdhën në periudhën e zgjedhjeve me porosi të burrit të drejtoreshës, Bedis dhe Androkliut. Për t’i kaluar do t’i kalonte klani i tyre në dogana, drejtori i Antikontrabandës, z.Prifti me atë të Hetimit, z.Brahja, në pikën e konteinerëve ku është përgjegjës turni miku i tyre z. Beshiku. Por meqë ranë në sy, i kaluan në magazinën doganore dhe këto dy ditë po përpiqen me të gjitha mënyrat, por askujt nga ne nuk ja mban të firmosë, sepse bëhet fjalë për 5 milionë USD evazion fiskal. Kuptohet që edhe policia i ka mbyllur sytë me kohë. Paskan dy ditë se i mbaron afati dhe nuk dinë nga t’i çojnë”, shkruan doganieri.
Në Doganën e Durrësit nuk bëhet vetëm kontrabandë, por kalon edhe droga pa asnjë problem drejt Italisë. Një prej punonjësve të Doganës së Durrësit denoncoi tre ditë më parë drejtuesit e doganave se, si në mënyrë të vetëdijshme kalojnë pa skanuar kamionët që transportojnë drogë. Edhe këtë radhë, punonjësi i doganave iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili shkruante se, drejtuesit e doganës dhe Qibini, njeriu i Tahirit e doganave përjashtojnë nga skanimi kamionët me drogë. “Eshtë e vërtetë që skanimi në Doganën e Durrësit, deri kur u kap sasia e madhe e drogës në Ankona, bëhej me përzgjedhje manuale me urdhër të Besmir Qibinit, njeriu i Tahirit në Doganë, dhe të drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave aktuale.
Vetëm pas kësaj goditje, u dha urdhëri i skanimit 100% në Portin e Durrësit, për të fshehur gjurmët nga Prokuroria. Akoma edhe sot, qëllimisht, moduli i riskut në sistemin kompjuterik të doganave për përzgjedhjen e mjeteve që duhet të skanohen, për eksportet nga doganat e brendshme dhe tranzitet ndërkombëtare, nuk funksionon. Për këto vite, ky ka qenë “shtegu” i lirë nga kanë kaluar tonelatat e drogës, deri sa u godit në dy raste nga policia italiane. Kjo procedurë është lënë në heshtje qëllimisht nga drejtuesit e doganës edhe sot e kësaj dite, për t’u përdorur përsëri”, shkruante punonjësi i doganës së Durrësit.
Kontrabanda e orave të shtrenjta dhe ilaçeve në Rinas
Edhe drejtuesit e Doganës së Rinasit janë të përfshirë në rrjetin e kontrabandës. Një doganier i shkruante ish-Kryeministrit Berisha dy ditë më parë se, drejtori i Doganës së Rinasit është përfshirë në rrjetin e kontrabandës së orave të shtrenjta dhe ilaçeve. “Kohët e fundit në doganën e Rinasit janë t’u kalu mallra me vlera marramendëse si celularë, ora, çanta edhe ilaçe farmaceutike. Po ju bëj me dije se drejtori i Doganës se Rinasit, Vlad Ladi ka vendosur nja dy përgjegjësa turni edhe një Moza, Moza që është te skaneri që sa herë vijnë tregtarë me probleme, kjo Moza bën sikur i sheh në skaner.
Në datën 15 shtator, tregtari Ervin Lloshi që është t’u shit te tregu i Medresesë brenda këpucë e atlete me emra falco. Ky Ervin Lloshi ka filluar me shit ora firmato të shtrenjta e shumë artikuj të tjerë. Në datën 15 shtator, ka qenë ditë e dielë, ky Ervin Lloshi ka kaluar 10 çanta me ora e celular të markave të ndryshme. M’u s’më lanë me i pa çfarë kishin çantat mrena.
Por ajo që isha t’u pa që doganierja Moza si kaloi në skaner me i pa çantat. Por, aty i mori përgjegjësi jonë bashkë me tregtarin Ervin Lloshi. Këtij tipi, drejtori i merr përsipër me i kalue edhe dollarët mbi 100.000 $ në xhep në të zezë mos me e kontrollue policia. Por nuk është vetëm ky që kalon në doganën e Rinasit sikur e ka pronën e vet, por është edhe rivali i tij, Artur Dano që edhe ky është t’u shit në treg të Medreses: ora, çanta, portofola, rripa me emra falco. Ky Artur Dano është nga Fieri edhe i ka lidhjet me drejtorin e Hetimit Doganor, Ervin Brahja, që e ka edhe gruan drejtoreshë të vipave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ky bashkë me Androkliun edhe burrin e drejtoreshës Blendisin e kanë në dorë gjithë gjërat që janë t’u kalu në Rinas”, shkruante doganieri.

R.POLISI