Ballina Politikë Lu: Po presim arrestimin e “peshqve të mëdhenj”

Lu: Po presim arrestimin e “peshqve të mëdhenj”

Askush nuk është mbi ligjin dhe krimi i organizuar i lidhur me politikën, drejtësinë apo bizneset do të dalë para drejtësisë”, kjo është deklarata e ambasadorit amerikan e bërë dje.
Ambasadori amerikan Lu deklaroi dje se, Shtetet e Bashkuara po presin arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. Nuk dihet se përse Ambasadori i ka dhënë tre dy muaj afat “peshqve të mëdhenj” që të arrestohen? Ai e ka kushtëzuar ndihmën amerikane me arrestimin e krerëve të grupeve të krimit të organizuar që kanë lidhje me politikën.
Për ambasadorin amerikan krimi i organizuar është një rrezik për sigurinë kombëtare në Shqipëri. “Ju keni një shprehje në gjuhën shqipe “dielli duket që në mëngjes”. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë që krimi i organizuar shqiptar është një problem serioz dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare”, u shpreh Lu.

Nuk ka 80 agjentë të FBI

Rama tha se do të vijnë 80 agjentë të FBI, por Ambasadori amerikan ka përgënjeshtruar Ramën sot në fjalën e mbajtur në aktivitetin “Forca e ligjit”. Ai tha se Ambasada amerikane ka vetëm një agjent të FBI, duke hedhur poshtë kështu mashtrimin e Ramës për 80 të tillë që do të instalohen në Ministrinë e Brendshme. “Kemi edhe një agjent të ri special të FBI-së, i specializuar në krimin trans kombëtar, i cili do të punojë në Tiranë për disa muaj në mbështetje të kësaj përpjekjeje”, tha Lu.

Fjala e plotë e Lu

Ne kemi një shprehje “veprat flasin më shumë se fjalët”. Kolegët e mi të ICITAP, OPDAT që ndihmoi Prokurorinë dhe FBI amerikane janë këtu për të angazhuar sërish në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Programi ynë për ndihmën ndaj policisë është përgatitur për të pasur këshilltarët ndërkombëtarë që do të punojnë brenda kësaj task-force ndër institucionale. Ndihma jonë për Prokurorinë dhe Policinë do të mbështesë zhvillimin e institucioneve të reja në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK dhe BKH-në. Gjithashtu kemi edhe një agjent të ri special të FBI-së, i specializuar në krimin trans kombëtar, i cili do të punojë në Tiranë për disa muaj në mbështetje të kësaj përpjekjeje.
Po flasim me vepra dhe jo me fjalë. Ne në Amerikë kemi edhe një shprehje tjetër “dreka falas nuk ekziston”. Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosim burimet dhe besueshmërinë tonë në luftën kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate. Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm që ky sukses të vazhdojë në 2018 me SPAK dhe BKH.
Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë.
Së fundmi, ju keni një shprehje në gjuhën shqipe “dielli duket që në mëngjes”. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë që krimi i organizuar shqiptar është një problem serioz dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare. Plani gjithashtu pranon që deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale.
Ajo që dimë gjithashtu është që, Shqipëria ka një problem në lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë iu lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Roshit. Ky nuk është problem i vetëm një partie, ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit.
Populli shqiptar ka fjalën tonë se SHBA do të angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me njerëz të fuqishëm përfshi politikanë, gjyqtarë, prokurorë apo biznesmenë të fuqishëm. Asnjë nuk është mbi ligjin.
Në gjuhën shqipe ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh.

Exit mobile version