Icardi përmirësohet nga dëmtimi

Lajme të mira nga infermieria e Interit rreth gjendjes fizike të Mauro Icardit, i cili humbi madje edhe grumbullimin me Argjentinën pas një problemi në gju, që fillimisht u mendua serioz. Ekzaminimet më të specializuara kanë përjashtuar ndonjë këputje të mundshme të tendinës, por thjesht ka enjtje të pjesës së përparme të gjurit të djathtë, shkaktuar gjatë një përplasjeje në ndeshjen e të dielës me Torinon. Sulmuesi argjentinas do të punojë për 4-5 ditë i veçuar, nën kujdesin e fizioterapistit, për t’u vënë më pas nën urdhrat e Luçiano Spallettit. Kapiteni do të jetë i gatshëm për takimin e 19 nëntorit kundër Atalantës së Etrit Berishës.
Lajmet e fundit në lidhje me lëvizjet e Inter në merkaton e janarit tregojnë, se klubi milanez ka një strategji të qartë: asnjë çmenduri, investime të llogaritura, në pritje të thesarit që mund të vijë nga kualifikimi në Champions League. Kështu, ata që presin një Inter shumë aktiv në merkaton e ardhshme mund të mbeten të zhgënjyer.
Por është një lojtar që zikaltrit e ndjekin prej kohësh dhe që është një ‘fiksim’ i vjetër i Walter Sabatini-t. Bëhet fjalë për Javier Pastore, ish-fantazisti i Palermo-s, aktualisht te Paris Saint-Germain. Karakteristikat e tij do të ishin perfekte për të skemën 4-2-3-1 që po përdor trajneri Luçiano Spalletti. Kontrata e tij me PSG-në skadon në 2019-ën dhe, sipas “Transfermarkt”, vlera e tij në tre është 20 milionë euro, po drejtuesit francezë e vlerësojnë 10 milionë euro më shumë.
Këtyre shumave u duhet shtuar edhe rroga 6.5 milionë euro në sezon. E pamundur të ketë të njëjtin shpërblim edhe te zikaltrit, por për këto detaje do të flitet vetëm nëse do të krijohen kushtet e një transferimi. Shtypi francez, ndërkohë, shkruan se Pastore nuk është aspak i kënaqur me zgjedhjet e trajnerit Emery, i cili e ka aktivizuar në vetëm 8 ndeshje në këtë sezon. Një situatë kjo që nuk pëlqehet nga lojtari, i cili mund të largohet në janar. Inter do të provojë të bindë klubin francez, duke i ofruar atyre të fundit portugezin Joao Mario, i cili ka përfunduar jashtë planeve të Spalletti-t.