Florian Habilaj në makinë me Sotën, mbushi çantën me euro

Florian Habilaj ka qenë në makinë me Orest Sotën dhe në momentin që është afruar policia, ai ka mbushur çantën me euro dhe është larguar. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve të marra nga qytetarët e Elbasanit.
“Xhafa dhe Çako i drogës vazhdojnë mashtrimin për skandalin Tahiri-Sota! Qytetarët dixhital denoncojnë: Mashtrimin e Xhafës dhe Çakos me Leonard Almetën, si dëshmitar të paguar. Sipas tyre, në makinë me Orestin nuk ka qenë Leonard Almetaj, por Florian Habilaj, i cili ka marrë gjysmën e eurove, i patrazuar nga policia. Eurot e shpërndara në sediljen e fundit të makinës tregojnë se dikush me shpejtësi i ka futur duart në to!”, shkruan Berisha.
“Prsh doktor, përse nuk del realiteti i Elbasanit. Orest Sota ka qenë me Florian Hbilajn në makinë, por kanë paguar Leonard Almetën 150 mijë euro për të thënë që ka qenë në makinë me Orestin. Ka dëshmitarë që e kanë parë Florian Habilaj me një çantë sportive të mbushur, duke u larguar nga “Land Rover”, por kanë frikë të denoncojnë. Me respekt doktor”, shkruan qytetari.
“Mirëmëngjes. Policia po bën çdo gjë për të fshehur të vërtetën. Personi që ka qenë me Orest Sotën është larguar me një çantë të madhe nga makina dhe policia e ka lejuar dhe ajo e di se kush është. Po të keni parasysh foton e makinës që tregonte se eurot ishin të shpërndara me tufa në sediljen e pasme të makinës dukej qartë se një person tjetër ka qenë në makinë dhe ai në largim e sipër ka marrë ato që ka mundur. Policia nxori emrin e personit të tretë vetëm pas katër ditësh çka do të thotë se ky Leonardi është thjesht beden. Në Policinë e Elbasanit përshpëritet se ka qenë shoferi i Saimir Tahirit. Prandaj kërkoni të hetohet Policia e Elbasanit për mashtrimet e saj. Anonim ju lutem”, shkruan qytetari.

Prokuroria do të thërrasë përsëri Tahirin

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, në ditët në vijim prokurorët do të thërrasin përsëri për të dëshmuar ish-ministrin Tahiri dhe shoferin e tij. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmojnë se, hetimi penal i Orest Sotës do t’i bashkohet dosjes voluminoze për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe grupin e Habilajve. Ka indicie dhe të dhëna që këto hetime lidhen me njëri-tjetrin dhe fakti më domethënës është gjetja e dy patentave të Tahirit në makinën e Sotës.
Ndërsa hetimi pasuror është marrë në dorë nga Njësia Antikorrupsion e Krimeve të Rënda. Tanimë Orest Sotës i bie barra e provës për të justifikuar 863 mijë eurot që iu gjetën. Grupi hetimor në ditët në vijim pritet të marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë në kompaninë “Kurum”. Gjithashtu do të ripyetet Orest Sota dhe persona e tjerë të përmendur nga ai, ndër ta dhe shoferi i ish-ministrit Tahiri.
Prokuroria bëri të ditur se, në procesverbalin e sendeve të sekuestruara në makinën e shtetasit Orest Sota janë gjetur katër çanta me euro, ndërkohë në kontrollin fizik të Orest Sotës janë gjetur dy telefona dhe në xhep 700 euro. Nga numërimi i 863.100 euro ka rezultuar se 15.800 prerje kanë qenë të kartëmonedhave 50 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 70.000 euro janë prerje të ndryshme si 20 apo 100 euro.
Ndërkohë, Prokuroria ka marrë dje në pyetje edhe financieren e kompanisë Kurum. Ajo ka deklaruar se, Kompania Kurum nuk priste të merrte para nga kompania e Orest Sotës apo babait të tij, Lefter Sota. Administratorja e kësaj kompanie e marrë në pyetje nga Prokuroria ka rrëzuar versionin e Orest Sotës se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e tij, ai do t’i linte garanci në këtë kompani.
Financierja e Kurum i ka qëndruar versionit të dhënë nga kryefinancieri i kompanisë Arif Shkalla, i cili tha se kompanitë e Orest dhe Lefter Sotës nuk ishin klientë të tyre. Këto dy dëshmi kompromentojnë alibinë e 25-vjeçarit, i cili pretendon se paratë ishin për pagesë në ketë kompani, siç deklaroi publikisht edhe babai i tij Lefter Sota. Këto deklarime dhe të tjera detaje kanë bërë që hetimi ndaj Orest Sotës të merret në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë të çështjes.

R.POLISI