Duhet përmirësim

Marcelo, mbrojtësi brazilian i Real Madrid, beson se e vetmja arsye pse tifozët vërshëllejnë lojtarët është se këta të fundit duhet të përmirësojnë lojën e tyre. “Viktima” e fundit e këtyre vërshëllimave ka qenë sulmuesi francez, Karim Benzema, loja e të cilit kundër Las Palmas, ndeshje e fituar 3-0 nga “Los Blancos”, nuk është pëlqyer nga mbështetësit madrilenë. Skuadra e Zidane është kthyer te fitorja pas dy humbjeve të pësuara kundër Girona dhe Tottenham, por Benzema dhe Ronaldo kanë patur përsëri vështirësi për të gjetur golin të dielën në mbrëmje.
Benzema ka humbur dy raste të pastra dhe është vërshëllyer nga një pjesë e tifozëve të pranishëm në “Santiago Bernabeu”, me sulmuesin francez që ka realizuar vetëm dy gola në 12 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet këtë vit.
“Nuk mund të flas për një padrejtësi, sepse të gjithë ne jemi vërshëllyer”, ka thënë Marcelo. “Nëse ata të vërshëllejnë, do të thotë se duhet të përmirësosh diçka. Është e vështirë të luash kur të vërshëllejnë, por duhet të stërvitesh si Benzema dhe të përballesh me këtë situatë siç bën ai. Vërshëllimat janë pjesë e futbollit. Nuk mund të shkojë gjithçka mirë”. Braziliani ka shtuar edhe se Benzema me Ronaldon janë të parët që zemërohen me veten e tyre kur nuk shënojnë. “Ata kanë punuar për ekipin, i kam parë të luajnë mirë. Janë shumë të zemëruar, sepse nuk kanë shënuar, por kanë qenë të lumtur për fitoren”.
Cristiano Ronaldo nuk duket të jetë shumë i shqetësuar për statistikat e tij në këtë sezon të La Ligas, por edhe nëse është, ka bindjen e plotë që do ta kthejë situatën në favorin e tij. Mediat spanjolle kanë zbuluar se në përfundim të ndeshjes me Las Palmasin (sfida e radhës ku portugezi nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës), ai u është drejtuar shokëve të skuadrës, duke u premtuar se në fund do të jetë golashënuesi më i mirë i Primera Division.
Një “bast” shumë i vështirë për t’u fituar nga CR7, që në 11 javët e para të kampionatit ka mundur të realizojë vetëm një gol, në fitoren 1-2 ndaj Getafes, ndërkohë që rivali i tij i madh, Lionel Mesi, ka arritur shifrën e 12 finalizimeve. Cristiano shpreson që të nisë ndryshimin e kësaj tendence shqetësuese për të që në takimin e radhës, në derbin me Atleticon, në Wanda Metropolitano. Një përplasje e veçantë kjo për të, pasi do të luajë për herë të parë në këtë stadium të ri.
Sipas “El Chiringuito”, portugezi beson se klubit është duke i munguar sulmuesi anësor, Gareth Bale. Bale gjatë katër viteve në kryeqytetin spanjoll ka munguar shpesh për shkak të problemeve me lëndime dhe momentalisht është jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë. Uellsiani mungon tash e 40 ditë dhe thuhet se, Ronaldo mendon se mungesa e Bale e dëmton performimin e klubit dhe të tijën në veçanti. Por, lajmi i mirë për Realin dhe Ronaldon është se Bale siç duket do të kthehet për ndeshjen derbi ndaj Atletico Madridit, e cila do të zhvillohet në “Wanda Metropolitano” pas ndeshjeve të kombëtareve.