Ballina Bota & Rajoni Vrasja më e rëndë masive në gjithë historinë e Teksasit

Vrasja më e rëndë masive në gjithë historinë e Teksasit

APTOPIX Church Shooting Texas

Një burrë hapi zjarr në një kishë afër San Antonios në Teksas të dielën, duke vrarë 26 besimtarë dhe duke plagosur të paktën 20 të tjerë. Viktimat janë nga pesë deri në 72 vjeç.
Sulmuesi është vrarë po ashtu dhe tani për tani nuk dihet asgjë për motivet e tij.
Agjentët federal, përfshirë ata të FBI-së tashmë janë në qytezën e vogël Sutherland Springs, rreth 50 kilometra nga San Antonio.
Presidenti Donald Trump, e cilësoi ngjarjen si një “akt të së keqes” dhe bëri thirrje për lutje. Ai urdhëroi që flamujt amerikanë në ndërtesat federale të ulen në gjysmë shtizë deri të enjten. Presidenti po e ndjek situatën nga Japonia, ndalesa e tij e parë në vizitën gati dyjavëshe në Azi.
“Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë dhimbjen dhe pikëllimin që ndjejmë ne të gjithë dhe nuk mund të përfytyrojmë vuajtjen e atyre që humbën më të dashurit. Zemrat tona janë të thyera”, tha Presidenti Trump.
Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, tha se kjo është vrasja më e rëndë masive në historinë e Teksasit. Ai tha se ka shumë “copëza të një enigme të ndërlikuar” që duhet mbledhur.
Ajo çfarë dihet tani për tani, sipas zyrtarit të sigurisë publike në Teksas, Freeman Martin, është se sulmuesi që u përshkrua si një i bardhë i ri i veshur në të zeza dhe jelek antiplumb, hapi zjarr para kishës baptiste dhe vazhdoi të qëllojë brenda saj.
Freeman tha se një banor lokal iu kundërvu sulmuesit me armën e tij, duke bërë që ai të lëshojë armën dhe të largohet me makinë. Qytetari ndoqi sulmuesin dhe më pas policia u bashkua në ndjekje. Freeman tha se i dyshuari përplasi makinën e tij në dalje të kontesë dhe u gjet i vdekur me plagë nga arma e zjarrit. Nuk është e qartë nëse ai vrau veten apo u qëllua nga qytetari.
Sherifi i kontesë Wilson, Joe Tackitt, tha se policia gjeti edhe armë të tjera në makinën e të dyshuarit.
Zëdhënësja e Forcave Ajrore, Ann Stefanek, i tha “Zërit të Amerikës” të dielën vonë se sipas të dhënave, Devin P. Kelley, kishte shërbyer më parë në kuadër të Forcave Ajrore amerikane nga viti 2010 deri në vitin 2014.
Kelley ishte shkarkuar nga Gjykata Ushtarake pas akuzave për sulm mbi bashkëshorten dhe mbi fëmijën e tyre.
Dy nga viktimat e tij u qëlluan në oborr, ndërsa të tjerët brenda kishës.
Një dëshmitar, veteran i luftës së Vietnamit, i tha “Zërit të Amerikës” se, “nuk kishte parë një masakër të tillë që nga Vietnami’.
Ndonëse viktimat ende nuk janë identifikuar publikisht, pastori i kishës baptiste, Frank Pomeroy, u tha mediave se e bija 14- vjeçare, Annabelle Renee Pomeroy, është në mesin e të vrarëve.
Sherifi Tackitt, tha se kisha postonte lutjet javore në YouTube, prandaj është e mundur që masakra të jetë regjistruar në kamera.
Ngjarja e së dielës ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes masive në Las Vegas, më 1 tetor. Në atë rast, Stephen Paddock, hapi zjarr mbi turmën në një koncert, duke vrarë 58 dhe duke plagosur mbi 500 veta. Edhe më tej, hetuesit po punojnë në ndriçimin e motiveve të sulmit.

Presidenti Trump shprehet nga Japonia
Presidenti i SHBA, Donald Trump u informua gjatë qëndrimit në Tokio për krimin e përgjakshëm. Ai shkroi në Twitter: “I lutem Zotit që të jetë pranë njerëzve në Sutherland Springs(…) Po e ndjek gjendjen që nga Japonia”.
Vetëm para një muaji, një vrasje tjetër shkaktoi tmerr në të gjithë botën, kur në Las Vegas (Nevada) një burrë hapi zjarr nga dritarja e një hoteli mbi vizitorët e një festivali muzike dhe vrau 58 prej tyre – më shumë se 500 të tjerë u plagosën. Dorasi vrau veten. Ishte masakra më e rëndë në historinë më të re të SHBA. Motivi është edhe më tej i paqartë.
Të shtëna në një kishë pati edhe në vitin 2015 në Charleston (Karolina e Jugut). Një 21-vjeçar vrau atëherë për motive raciste nëntë besimtarë me ngjyrë. Atë e dënuan me vdekje.

Exit mobile version