Strategu Heynckes

Rikthehet frikshëm Bayerni i Mynihut. Shtatë ndeshje radhazi dhe po kaq fitore nga ana e kampionëve në fuqi të Gjermanisë, të siguruara në kampionat, kupë dhe Champions Leage. I gjithë ky ndryshim falë një njeriu të vetëm, Jupp Heynckes. Rikthimi i 72-vjeçarit në krye të stolit bavarez ka dhënë menjëherë efektet e veta në lojën e skuadrës dhe arritjen e rezultateve. Fitorja 3-1 ndaj Borussias së Dortmund konfirmoi se periudha e errët për Bayernin ka përfunduar. Me Heynckes në krye në vitin 2013 bavarezët kanë arritur të fitojnë njëkohësisht Kupën e Gjermanisë, Bundesligën dhe Champions League.
Edhe në këtë periudhë njeriu kyç i lojës së tij ishte Arjen Robben, me këtë të fundit që, pas përfundimit të takimit, u shpreh se loja që zhvilloi ekipi ndaj “verdhezinjve” ishte një ndër më të mirat. Holandezi, edhe pse 33 vjeç, tregoi qartë se ka ende shumë për të dhënë. Nuk mund të thuhet se është rastësi fakti që Bayerni i Mynihut ndodhet në krye të tabelës së klasifikimit në momentin kur Heynckess mori sërish në patronazh skuadrën. Ndoshta dhe me pak fat, për shkak të gabimeve nga ana ndjekësve si Leipzig dhe Dortmund.
Transformim rrënjësor në vetëm pak javë. Në Gjermani meritat ia atribuojnë vetëm 72-vjeçarit, që konsiderohet një strateg i jashtëzakonshëm. Ndoshta ndër të paktët që mund ta merrte skuadrën në atë moment delikat dhe ta risillte në jetë në një kohë fare të shkurtër. Mesazhi është i qartë, falë Jupp Heynckes, Bayerni i Mynihut është rikthyer.
Bayerni i Heynckes nuk ka të ndalur, teksa të dielën mori fitoren e 4-t radhazi në kampionat, në shtëpinë e rivalit kryesor, Borusias së Dortmundit. Bavarezët arritën të dominojnë takimin që nga fillimi dhe të marrin fitoren me rezultatin e pastër 1-3. Skuadra e Heynckes kaloi në avantazh me anë të holandezit Robben, në minutën e 17’, ndërsa polaku Lewandowski dyfishoi shifrat në të 37-ën.
Në minutën e 67’, ishte mbrojtësi austriak David Alaba, që shënoi golin e 3-të dhe vulosi fitoren. Në minutat në vijim Bayerni administroi rezultatin, ndërsa Dortmundi arriti të gjejë golin e nderit, me anë të mbrojtësit spanjoll Bartra, vetëm 2 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.
Pas 11 javësh të Bundesligës, Bayerni i Mynihut kryeson me 26 pikë, i ndjekur nga Leipzig me 22 dhe Dortmund me 20. Një muaj më herët, Dortmundi kishte një avantazh prej 5 pikësh me Bayernin, por në vetëm 4 javë, skuadra e Heynckes përmbysi gjithçka, duke marrë të gjitha pikët e mundshme. Nga ana tjetër, verdhezinjtë, kanë marrë vetëm 1 pikë në 4 javët e fundit, ndërsa 3 ndeshjet e tjera i kanë humbur.