Ronaldo, legjenda e futbollit brazilian, ka sugjeruar se Neymar mund të jetë larguar nga Barcelona për shkak të problemeve që ka patur me bordin drejtues, siç i ka ndodhur atij në 1997-ën. “Fenomeni” ka qenë i papërmbajtshëm në sezonin e tij të vetëm me katalanasit, duke realizuar 34 gola në 37 ndeshje të luajtura në kampionat, por u transferua tek Inter, pasi negociatat për rinovimin e kontratës dështuan. Largimi i Neymar nga Barcelona ka qenë po aq i zhurmshëm, me të dy palët që kanë kërcënuar se do t’i drejtoheshin Gjykatës, teksa “O Ney” ka shkuar te PSG për një shifër rekord (222 milionë euro) gushtin e kaluar.
“Largimi i Neymar nga Barcelona ka qenë i ngjashëm me largimin tim. Unë shkova tek Inter, kur kampionati italian ishte më i fortë nga sa është ai francez tani”, ka thënë Ronaldo për “Veja”. “Nuk i di detajet dhe nuk e di se çfarë është thënë gjatë negociatave. Ndoshta, ai ka patur probleme me bordin drejtues të klubit, siç ndodhi në rastin tim. Unë do të bëja përsëri të njëjtën gjë”. Më parë është thënë se, Neymar zgjodhi të largohej nga Barcelona, sepse donte më shumë para dhe për të mos qëndruar më në hijen e Mesi-t.