Nuk ka paqe!

Jose Mourinho nuk deshi t’i shtrëngonte duart me Antonio Conte, pasi Manchester United u mund 1-0 nga Chelsea të dielën. Çifti ka mbajtur një marrëdhënie të vështirë, që kur Conte mbërriti në Premier League dhe temperamentet u ndezën në sezonin e kaluar, kur italiani u akuzua se si festoi gjatë një përplasjeje të humbur 4-0 nga “Djajtë e Kuq”. Të dielën, gjithashtu, Mourinho u anashkalua nga Conte në bilbilin përfundimtar, pasi trajneri i Chelsea shkoi drejt e në fushë për të përshëndetur lojtarët e tij, duke e lënë “Special One” me anëtarët e stafit të tij me “gisht në gojë”.
Trajneri i Manchester United, megjithatë, këmbënguli se nuk kishte asnjë problem mes të dyve, kur u pyet për shtrëngimin e duarve, që mungoi. “Doni që unë të shkoj dhe ta ndjek atë në mes të fushës? Unë isha atje. I shtrëngova duart me njerëzit që ishin atje, u tha portugezi gazetarëve pas ndeshjes. Unë mendoj se njëri prej tyre ishte vëllai i tij, asistenti, kështu që ndjej se duke i shtrënguar duart e vëllait dhe asistentëve të tjerë, e kam bërë detyrën time. Nuk mund të shkoj e të vrapoj për ta ndjekur Conten. Pse duhet të pres në tunel? Ai nuk duhet të presë. Nuk kam problem me të fare. Ju jeni gjithmonë të shqetësuar me këto gjëra, por nuk ka problem”.
Mourinho shtoi se, Manchester United deshi të marrë diçka larg shtëpie, në një ndeshje që u vendos përfundimisht nga goli i Alvaro Morata. “Ishte një ndeshje e madhe në mënyrë taktike, emocionale, fizike. Sigurisht që na mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, që nuk ishin në dispozicion. Ne treguam iniciativë, kurajë dhe patëm rastin të barazojmë, gjë që do të ishte një rezultat i drejtë”.
Antonio Conte fiton sfidën me Murinho-n, ndërsa Chelsea mund Manchester United në ndeshjen e javës së 11 të kampionatit anglez. Në “Stamford Bridge”, ndeshja mes këtyre dy skuadrave u mbyll me rezultatin e ngushtë 1-0 me Chelsea, që kishte edhe mundësi të tjera për shënim, ashtu sikurse i pati edhe United në portën e Courtois.
Ai që vendosi sfidën në favorin e “Bluve” ishte një njohje e vjetër e Mourinho, Alvaro Morata, i cili e shënoi golin e fitores për kampionët e Anglisë në minutën e 55 të ndeshjes. Ai që u gëzua më shumë për fitoren e Chelsea-t ishte Pep Guardiola, trajneri i Manchester City-t, që pas fitores 3-1 me Arsenalin e ka çuar në 8 pikë diferencën me rivalët e United në vendin e dytë.
Manchester City po tregon një formë fantastike këtë sezon në Premier League, duke arritur fitore pas fitoreje, madje edhe ndaj rivalëve kryesorë. Këtë herë ishte radha e Arsenalit të dorëzohej përballë skuadrës së drejtuar nga Guardiola, e cila fitoi 3-1. De Bruyne realizoi që në minutën e 19-të, duke i dhënë një drejtim të pakthyeshëm sfidës, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Aguero i çoi shifrat në 2-0 me golin e tij të 179-të me fanellën e City-t. Lacazzete rihapi përkohësisht takimin në minutën e 69-të, pasi 5 minuta më vonë, Gabriel Jesus realizoi të tretin për ekipin e tij dhe të fundit të sfidës.