Juan Jesus euforik: Mund të mposhtim këdo

Pasi mposhtën Chelsea-n 3-0, në kampin e Romës kanë fituar vetëbesim dhe ndjejnë se janë në rrugën e duhur për të marrë trofe këtë sezon. Kështu, pas De Rossit, që vlerësoi edhe punën e bërë nga Di Francesco, ka qenë një tjetër futbollist i verdhekuqve, që ka komentuar me nota euforike paraqitjet e mira të Romës. Bëhet fjalë për mbrojtësin brazilian Juan Jesus, që luan sezonin e dytë te Roma, pasi erdhi nga Interi verën e 2016-ës.
“Kemi fituar shumë siguri dhe mendoj se jemi të aftë të përballemi me këdo. Të dominosh ndaj Chelsea-t në dy takime, nuk është aspak e lehtë, por ne ia dolëm dhe kjo na jep shumë vetëbesim. Në krahasim me vitin e kaluar, ka ndryshuar vetëm mentaliteti me të cilin i përballojmë ndeshjet dhe kundërshtarët. Tani nuk luajmë më si inferiorë, por kërkojmë kontrollin e lojës, pa frikë”, tha mbrojtësi brazilian.
Juan Jesue vlerësoi edhe punën e mirë të brazilianit tjetër, portierit Alisson. Ky i fundit ka rezultuar deçiziv me pritjet e tij, në disa takime, veçanërisht në ato të Serisë A, ku Roma ia ka dalë të fitojë shpesh herë me rezultat minimal.
“Alisson punon shumë në stërvitje. Edhe vitin e kaluar, stërvitej pa u ndjerë dhe ishte gjithmonë i gatshëm, por këtë vit iu dha mundësia dhe po e shfrytëzon mjaft mirë. Është një prej pikave tona më të forta, sepse shpesh është bërë vendimtar me pritjet e tij”, tha Jesus për patriotin e tij.