Gjykata e Katanias fundos Habilajn, hedh poshtë kërkesën e rekursit

Gjykata e Ankimimit të Katanias hedh poshtë kërkesën e rekursit të vendimit të arrestit me burg për Moisi Habilaj. Pas ekzaminimit të akteve, trupi gjykues konfirmon masën e arrestit me burg për Moisi Habilaj, duke i ngarkuar dhe shpenzimet administrative të procesit të rekursit. Trupi gjykues i Gjykatës së Ankimimit përbëhej nga kryetarja Gabriella Larato, Dorotea Catena e Laura Benanti.
Gjykata e Rivlerësimit e Katanias vendosi nëjditë më parë mosndryshimin e masës së sigurisë dhe qëndrimin e Moisi Habilajt dhe 9 bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, duke i lënë në burg. Vendimi u depozitua të enjten në mesditë në Sekretarinë e Gjykatës së Katanias nga gjyqtarët; Iarato, Benanti si dhe Catena, pasi kanë dëgjuar për 48 orë pretendimet e 10 prej të arrestuarve në kuadër të dosjes “Habilaj”. Organi i akuzës së Katanias ka parashtruar në seancën gjyqësore prova që kanë qenë bindëse për Gjykatën, e cila ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për shqiptarët.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje të dyshuarin si bashkëpunëtorin e ngushtë të Moisi Habilajt, Nezar Seitin. Ky i fundit gjendet në burg me afat 20 ditë, teksa pritet që të ekstradohet në Itali, si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës që kryente grupi kriminal. Marrja në pyetje ka ardhur, pasi Krimet e Rënda kanë siguruar dosjen e Nezar Seitit, të ardhur nga Prokuroria e Katanias, e cila u përkthye në Ministrinë e Drejtësisë. Pikërisht, Krimet e Rënda e kanë pyetur Nezarin për përgjimet dhe rolin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Seiti ka pranuar para prokurorëve të Krimeve të Rënda se ka lidhje krushqie me Habilajt, pasi gruaja e tij i ka kushërinj. Lidhur me trafikun e drogës, dhe rolin e tij si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, Nezar Seiti nuk ka preferuar të japë shpjegime. Ai ka kërkuar që të gjykohet në shtetin fqinj, ku janë ngritur akuzat e para, duke i thënë “po” ekstradimit.