Deklarata e Visho Ajazit: Më detyruan të largohem!

Ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi ka pranuar se largimi i tij nga detyra ishte një vendim i imponuar. Në një mbledhje me bashkëpunëtorë të ngushtë në Shërbimin Informativ Shtetëror, ish-kreu i SHISH i ka thënë vartësve të tij se, ka qenë i detyruar të largohet dhe se, ky nuk ishte vendim i tij. Në mbledhjen e zhvilluar në SHISH, ku Visho Ajaza ka deklaruar se, e kanë detyruar që të largohet, kanë qenë të pranishëm disa nga drejtorët më të rëndësishëm të institucionit.
Kreu i SHISH është detyruar nga Rama që të japë dorëheqjen pas publikimit të përgjimeve italiane të bandës së Habilajve për trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali, ku ishte i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. SHISH ishte institucioni i vetëm që ka dërguar informacione në Prokurori për trafikun e drogës nga grupi i Habilajve. Raporti i parë me të dhëna, emra, lëvizje konkrete, dhe veprimtarinë që kryente ky grup, i është dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në verën e vitit 2016.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, Prokuroria regjistroi një procedim penal ndaj të dyshuarve, i cili u pasua nga një tjetër hetim në prill të vitit 2017, një muaj pas largimit nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Policia e gjendur nën presionin e mungesës së informacionit, nxitoi të deklaronte se referimin për këtë çështje, e kishte dërguar ajo në Prokurori. Por e vërteta është krejt ndryshe.
SHISH dërgon një tjetër raport për Habilajt, i cili i shkon paralelisht Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Vlorës. Kjo e fundit, të njëjtat informacione i përcjell në Prokurori si kallëzim penal ndaj të dyshuarve. Nisur nga këto të dhëna, bashkëpunëtorët e Ajazit shprehin bindjen se, shefi i tyre u bë “kurban” për Habilajt.
Pikërisht në kohën kur Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit për deputetin socialist Saimir Tahiri, Rama shtoi presionin ndaj kreut të SHISH derisa e detyroi të japë dorëheqjen. Menjëherë Rama mori dosjen e dorëheqjes së Visho Ajazit dhe ia çoi Presidentit Meta, duke i kërkuar zëvendësimin e tij të menjëhershëm.

Si është goditur SHISH

SHISH është goditur nga Rama sa herë që raportonte për zyrtarët e lartë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Shërbimi Informativ Shtetëror ishte i pari që dha alarmin për kanabizimin e vendit. SHISH kishte hartuar zyrtarisht një raport për implikimin e oficerëve të policisë në trafikun e narkotikëve. Një raport, i cili u bë bazë për nisjen e një çështjeje penale nga Prokuroria ndaj drejtuesve të policisë në qarqe.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare thirrur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani më 3 nëntor 2016, Visho Ajazi futjen e 7 milionë fara kanabisi në Shqipëri. Kreu i SHISH ka denoncuar emra konkretë në mbledhjen e Sigurisë Kombëtare, ndërsa vetëm para tre javësh u publikuan përgjimet e italianëve të bandës së Habilajve, ku ishte përfshirë edhe Tahiri, ndaj të cilit ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Operacioni në Vlorë për 4.5 tonelatat e drogës

Operacioni për sekuestrimin e 4.5 tonelatat e drogës të Habilajve në Babicë të Vlorës, një ditë pas publikimit të përgjimeve të bandës së Habilajve, u krye nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas informacioneve të dhëna nga SHISH dhe autoritetet e huaja. Prokuroria bëri të ditur se ka përjashtuar nga aksioni Policinë e Shtetit për shkak se i druhej dekonspirimit të operacionit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se, për kapjen e drogës në Babicë është kryer një hetim prej rreth një viti me Shërbimin Informativ dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për këtë aksion ishte zhvilluar një takim dy ditë më parë, mes kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Frika nga dekonspirimi i magazinës së drogës në Babicë të Vlorës nga punonjës së policisë së atij qarku, bëri që takimi institucional të ishte dypalësh, duke përjashtuar drejtues të lartë të policisë.
Prokuroria bëri të ditur se lënda narkotike ishte kultivuar, përpunuar dhe magazinuar, duke u bërë gati për t’u trafikuar jashtë shtetit nga anëtarë të grupit kriminal të Habilajve. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, ka dyshime të forta dhe informacione të plota për përfshirje në këtë veprimtari trafiku narkotikësh të shumë drejtuesve të Policisë në Vlorë dhe më gjerë, për të cilët po bëhen verifikimet e nevojshme. “Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe me shërbimet inteligjente (SHISH)”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

R.POLISI