Bumçi: Vizita e Minnitit për shkak të pushtetit të drogës në Shqipëri

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi ka theksuar se deklarata e ministrit Xhafaj ditën e djeshme se policia ka vepruar ndaj fenomenit të drogës vitin e fundit tregon në mënyrë indirekte se policia ka qenë e përfshirë, duke lënë të nënkuptohet se më parë nuk ka vepruar me qëllim. Ai tha se ndërkombëtarët bënë gabim që nuk folën në kohën e duhur, por në këtë mandat ata po flasin dhe kanë tjetër marrëdhënie me Ramën. Ai tha se sot në marrëdhëniet me ndërkombëtarët Shqipëria përmendet vetëm për drogën dhe krimin.
“Ajo që tha Xhafaj se policia ka më pak se një vit se ka reaguar për drogën, pra ai e pranoi se policia nuk ka luftuar, por është bërë pjesë e drogë, më vjen keq ta them që sot Shqipëria njihet si vendi kryesor që prodhon drogën. Minniti (ministri italian) ka folur në një moment shumë të rëndësishëm pas hetimeve disavjeçare, ku flitet për një organizatë që ka trafikuar dhjetëra tonë drogë dhe nga përgjimet është i përfshirë ministri i Brendshëm. Ardhja e ministrit italian ka ndodhur se është i shqetësuar, sasia e kapur nga forcat e rendit është tre herë më shumë se më 2016. Ai tha duhen luftuar organizatat kriminale, krerët, por ne kemi arrestuar fshatarë. Italia është vendi që përballet me shqetësimin më të madh, është porta për të hyrë droga në Europë. Nuk janë goditur organizatat kriminale dhe ai e tha këtë kur tha duhet të goditen të paprekshmit. Përhapja e kanabisit nuk është mungesë profesionalizmi apo kapacitetesh, por përfshirje e shtetit.
Një mik si Italia ka qenë mbështetës kryesor për të hequr vizat. Prokurori i Leçes para tre vitesh tha se Adriatiku është kthyer në autostradë droge. Nuk janë goditur të paprekshimit. Këto hetime nuk mund të niseshin nga Shqipëria. Nëse pati një mbështetje nga partnerët, partnerët nuk folën për kanabizimin, ky mandat ka nisur ndryshe. Kemi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit që e paraqet si bazë të zhvillimit rajonal, kemi shqetësime nga Holanda, Gjermania, Franca. Ky mandat ka nisur me drogën dhe krimin. Kjo është e vetmja marrëdhënie që Brukseli po shqyrton me Shqipërinë. Kanabisi dhe Shqipëria janë dy emra të pandashëm”, tha Bumçi për “Fax News”.