Habilajt shitën në Itali armët që mblidhte Tahiri

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament bandën e Habilajve se, në bashkëpunim me Tahirin kanë organizuar trafikun më të madh të armëve që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Në mënyrë të beftë dy vite më parë, Saimir Tahiri, asaj kohe ministër i Brendshëm, nisi një aksion në të gjithë vendin me qëllim mbledhjen e armëve pa leje. Një aksion që u përshëndet në veçanti nga ndërkombëtarët. Por sipas të dhënave të denoncuara dje nga ish-Kryeministri Berisha, Tahiri përmes Habilajve dhe bandës së tyre i trafikonte armët e mbledhura drejt Italisë. Berisha i kërkoi Prokurorisë që të zgjerojë hetimet mbi aktivitetin kriminal të Habilajve dhe drejtimin e këtij aktiviteti nga Tahiri.
“Qeveria organizoi trafikun e armëve. Burime, të cilat duhet të hetohen, bëjnë të ditur se Habilajt kanë transportuar dhe shitur në Itali armët që mblidhte në popull kusho Tahiri. A ju kujtohet juve kur ndërmori nismën ‘dorëzoni armët’ se keni lehtësira dhe nuk ju kap ligji? A e mbani mend? Ku shkuan armët që iu morën dibranëve? Iu shitën në Itali trafikantëve. Do të hetohet kjo.
Problemi është se të gjitha ato që kemi denoncuar ne këtu fatkeqësisht janë faktuar të vërteta. Jemi ne opozita përgjegjëse për bllokimin e integrimit?! Është ky zotëri, i cili 300 herë që u tha shqiptarëve se negociatat hapen pas zgjedhjeve, u tha se ka vetëm një kusht dhe ai kusht janë zgjedhjet, u tha se nuk ka kusht tjetër, por në të vërtetë ato do të hapen vetëm atëherë kur tha opozita, jo se opozita është profetike, por asaj i thanë miqtë e saj se negociatat nuk hapen para 2018 për shkak të krimit të organizuar, për shkak të drogës, të korrupsionit dhe mureve të mëdha që ajo po ndërton dhe lartëson çdo ditë me Europën”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha akuzoi drejtpërdrejt Ramën si kokën e bandës së drogës në vend, ndërsa denoncoi edhe një herë lidhjet e faktuara tashmë me prova të pakundërshtuara të vëllait të tij Olsi Rama me trafikun e drogës. “Edi Rama është direkt kreu i tyre. I vëllai i Ramës, thuaju shqiptarëve, çfarë donte Olsi Rama me makinën e grupit të Xibrakës jashtë shtetit 5 herë? Njëri i jep targën tezakëve për të bërë trafik me makinën e shtetit, tjetri i jep vëllanë makinës që transporton kokainën. A ka ndonjë dallim midis atij që i jep targën shtetërore dhe këtij që jep vëllain? Këto duan të dëgjojnë shqiptarët, se janë të regjistruara në TIMS, me orë, me ditë, me çdo ditë. Të garantoj se ti edhe 20 mijë herë, çdo gjë që të bësh, ty për patriot nuk të pranon njeri. Ndaj dhe jep llogari për këto një herë”, u shpreh Berisha.

8 milionë rrënjë kanabis të mbjella në një vit

Në Shqipëri u mbollën në vitin 2016, 8 milionë rrënjë kanabis, në Shqipëri u magazinuan në tunele, magazina shtetërore e vila mbi 10 mijë tonë kanabis. Berisha tha se shifra prej 1.3 miliardësh është vetëm dora që ka dalë në qarkullim. “Shqipëria kishte plantacionet më të mëdha të kanabisit në Europë dhe në botë. Noriega, për të fshehur krimin e tij monstruoz ndaj shqiptarëve, shndërrimin e Shqipërisë në një narkoshtet, bllokimin nga ky narkoshtet, për herë të parë në historinë e pluralizmit, të drejtësisë, një javë më parë me urdhër të tij, tmerrin që i ka hyrë deri në palcë se mos e ndjek fati i Viktor Pontes, mikut të tij të ngushtë, që përfundoi për 1/100 e vjedhjeve dhe abuzimeve në birucë nga drejtësia rumune, mesa duket për të gjitha këto, në stilin mafioz u vërsul drejt banorëve të Himarës për të krijuar atje një vatër dhe të çirret e lebetitet këtu si patriot i madh, si shqiptar i madh, por në fakt si Noriega dhe drogmen i vërtetë”, tha Berisha.