“Milan” që po bën të lumtur tifozët e Interit

I pakalueshëm, i pakapshëm dhe vendimtar me ndërhyrjet e tij, ky është Milan Skrinar, të cilit iu deshën vetëm 10 ndeshje për të hyrë në zemrën e çdo tifozi të Interit falë paraqitjeve të tij. Një mur i vërtetë në prapavijë dhe një ndihmës i madh në sulm. Në harkun kohor të 100 ditëve Skrinar është një gur themeli në projektin e teknikut të zikaltërve, Luçiano Spaleti.
Në qershor kur drejtuesit e Interit zyrtarizuan transferimin e tij, pati skepticizëm, madje pati dhe nga ata që nuk ishin të bindur për emrin e tij se do të ishte në lartësinë e duhur për të përfaqësuar ngjyrat zikaltër. Kalimi i Bonuccit drejt Milanit u konsiderua si një super goditje në merkato nga ana e kuqezinjve, por në fakt deri më tani, situata flet ndryshe, flet në favor të Interit. 23 milionë euro të investuara për Skriniar dhe është vetëm 22 vjeç, por të jep përshtypjen e një lojtari me shumë vite eksperiencë mbi supe.
Nëse ndonjëri ka menduar se sllovaku nuk do ta përballonte dot presionin e “San Siros”, tanimë do të jetë bërë shumë pishman. Asnjë gabim nga ana e Skriniar, asnjë karton i verdhë, i ashpër në ndërhyrje, por i saktë. Pozicional dhe ka shpejtësinë e duhur për të ndërhyrë në kohë. Nuk do të ishte e ekzagjeruar nëse do të themi që 22-vjeçari po kthehet në makth për sulmuesit e ekipeve kundërshtare.
Fjalë pak e shumë duele të fituara prej tij, kështu Skriniar ka fituar vendin e titullarit, zemrat e tifozëve dhe besimin e Spaletit. Mbrojtësi me ambicie, i cili përmes deklaratave të tij kërkon t’i japë kurajo të gjithë shokëve të skuadrës, duke vënë në dukje një objektiv të qartë dhe të vetëm, duam të qëndrojmë në majën e tabelës së klasifikimit. Një vit më parë Interi në javën e 10 notonte në vendin e 10, ndërkohë momentalisht me Luciano Spaletin situata paraqitet ndryshe. Në skuadër ka optimizëm, grintë dhe dëshirë të madhe për të fituar. Mbrojtja ofron garanci, mesfusha dhe sulmi ecin në sinkron. Me të drejtë zikaltërit këtë sezon mund të ëndërrojnë më shumë sesa një biletë për kupat e Europës.