Djali i Ronaldos theu “tabunë”

Nominees for the Best FIFA football player, Barcelona and Argentina forward Lionel Messi (R) and Real Madrid and Portugal forward Cristiano Ronaldo (L) chat before thaking their seats for The Best FIFA Football Awards ceremony, on October 23, 2017 in London. / AFP PHOTO / Ben STANSALL

Një yll i ri ka lindur në botën e futbollit. Deri tani, jashtë fushe. Ai është djali i sulmuesit Cristiano Ronaldo, Cristiano Jr. Që në emër të krijon përshtypjen se do të jetë një klon i të atit. Ky djalosh simpatik gati sa nuk u qorrua nga blicet në mbrëmjen gala të FIFA-s për çmimet futbollistike të vitit që po lëmë pas. Të hënën, ai bëri atë që nuk e mendonte askush si të mundur: bashkimin në një miqësi të bukur të 32-vjeçarit Ronaldo me rivalin e tij më të madh, Lionel Messi.
Diçka e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2015, por jo kaq hapur, jo kaq dukshëm dhe jo kaq gjatë. Cristiano Jr. nuk u ftua nga askush kësaj here. Ai iu afrua argjentinasit dhe ia shprehu admirimin ashtu siç dinte. Messi vetëm qeshte dhe pranë tij ishin ulur Neymar me të atin, gjithashtu duke mbajtur gazin.
A ka gjë më të bukur se kjo? Ronaldo gjithashtu iu afrua “armikut” të tij dhe biseduan me njëri-tjetrin. Vit pas viti, portugezi gjithnjë deklaronte se nuk e kishte mik Leon, por se i pëlqente ta quante thjesht rival. Epo, ja që akullin e theu djali i tij. Me një veprim naiv, ai bashkoi dy lojtarët më të mirë në botë të viteve të fundit. Ronaldo shënoi dopietën e radhës: fitoi çmimin “Lojtari i vitit” dhe një mik, Leon.
Duhet theksuar se edhe marrëdhënia ndërmjet klubeve, Real Madrid dhe Barcelona, ka ndryshuar. Pavarësisht përpjekjeve për të shpallur Pavarësinë e vendlindjes së tyre, katalanasit e futbollit ndryshojnë disi nga ata të politikës. Barcelona, ndryshe nga vitet e tjera, pranoi që yjet e saj të ishin të pranishëm në ceremoninë e FIFA-s. “Rregulli” ka qenë ndryshe: kur e dije që FIFA s’do të të jepte çmim, nuk do të paraqiteshe.
Me pak fjalë, dueli epik Ronaldo-Messi ka maturuar jo vetëm ata, por edhe klubet respektive. Që kur kjo dyshe doli në skenën e futbollit kanë ndryshuar shumë gjëra. Madje, edhe tifozët janë më të pjekur dhe kanë nisur të pranojnë madhështinë e tjetrit.
Çfarë fuqie ka futbolli, ë? Sport që bashkon njerëzit. Misioni u krye! Faleminderit, Ronaldo! Faleminderit, Messi! Me ju u rritëm, me ju mësuam. Jeni të përjetshëm!