Dani Alves “shpërblen” Juven me 9.5 milionë euro

Lamtumira e Dani Alves ka shkaktuar më shumë debate edhe se transferimi i papritur i Leonardo Bonucci-t te Milan. Një largim që ka krijuar një boshllëk të madh në krahun e djathtë të mbrojtjes bardhezi, edhe për shkak të dëmtimeve të De Sciglio dhe Howedes. Ka qenë një ndarje që është shoqëruar nga shumë polemika të krijuara nga fjalët aspak të ëmbla të vetë brazilianit para se të largohej drejt PSG-së.
Një operacion që ka bërë bujë edhe për faktin se Parisi e ka marrë atë me kosto zero, ashtu siç kishte bërë një vit më parë Juventus, pavarësisht se kontrata e tij skadonte më 2018-ën. Drejtuesit bardhezinj kanë vendosur ta lënë të largohet me kosto zero pas disa mbledhjesh të zhvilluara me përfaqësuesit e futbollistit. Por nëse i hidhet një sy bilancit të publikuar nga asambleja e aksionerëve, kuptohet se edhe operacioni Dani Alves mund të futet te kategoria e sukseseve të arritura nga Beppe Marotta.
Është e vërtetë se torinezët nuk kanë përfituar asnjë euro nga ky operacion, por në të njëjtën kohë, largimi i tij ka gjeneruar një sufiçit prej pothuajse 10 milionë euro. Në dokumentacionin e publikuar nga Juventus lexohet se: “Në qershorin e 2017-ës është prishur në mirëkuptim mes palëve kontrata e Alves që skadonte më 30 qershor të 2018-ës. Ky operacion gjeneron një efekt ekonomik pozitiv në bilancin 2017/18 me 9.5 milionë euro”. Sigurisht, në krahun e djathtë mungon diçka akoma, por edhe pse me disa muaj vonesë, edhe operacioni Dani Alves ka rezultuar një sukses për arkat bardhezi.