Shteti braktis moshën e tretë

Institucionet publike të Kosovës që nga themelimi i tyre pas përfundimit të luftës kanë shpërfillur dhe vazhdojnë të shpërfillin një kategori shumë të ndjeshme të shoqërisë – të moshuarit. Gjatë gjithë këtyre viteve institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë infrastrukturë të përshtatshme, e madje as që kanë plane e vizion se si do të mund t’u ofrohej në të ardhmen trajtim dinjitoz të moshuarve që mbesin pa përkujdesje familjare. Ofrimi i shërbimeve sociale dhe familjare për të gjithë personat në nevojë në Kosovë, përfshirë edhe personat e moshuar, me ligj parashihet qysh në vitin 2005. Por ky ligj nuk është zbatuar as për së afërmi, as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e as nga komunat e Kosovës, shkruan “Koha Ditore”. Për shkak të moshartimit të akteve nënligjore ofrimi i këtyre shërbimeve i është pamundësuar edhe sektorit privat. Kapacitetet aktuale shtetërore nuk plotësojnë as minimumin e kërkesave për strehim të personave të moshuar, ndërkohë që sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës, ekzistojnë vetëm 7 biznese që ofrojnë shërbime të tilla. Ato funksionojnë pa licencë të MPMS-së, pasi kjo e fundit ende nuk ka hartuar legjislacionin sekondar për procedurën e pajisjes me leje për biznese që ofrojnë shërbime të tilla.