Përgjimet e Antimafias, vjen reagimi i Popullorëve Europianë: Pavarësi drejtësisë për drogën

Popullorët Europianë kanë përcjellë një mesazh të prerë dje ndaj qeverisë Rama, ndërsa e kanë paralajmëruar se pa luftën kundër krimit dhe drogës Bashkimi Europian do t’i mbyllë dyert për Shqipërinë. Reagimi i fortë erdhi dje nga presidenti i PPE, Joseph Daul, i cili në një postim në Tëitter shkruan se, krimi dhe droga mbeten problematikat më të mëdha në Shqipëri, që pengojnë rrugën e saj në BE.
“Krimet e drogës janë një problem madhor që pengon rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Përpjekjet të vërteta duhet të bëhen për të luftuar këto krime me transparencë të plotë. Aspirata e Shqipërisë për në Bashkimin Europian do të merret seriozisht vetëm kur të zbatohen sundimi i ligjit, pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit”, thotë ai në një postim në twitter.
Kriza e thellë politike që ka përfshirë Shqipërinë pas çështjes Tahiri-Habilaj ka shokuar partnerët ndërkombëtarë. Megjithëse ende nuk kanë reaguar në deklarata zyrtare, tensioni që ka shkaktuar çështja Tahiri si dëshmi e të gjitha akuzave të ngritura nga opozita për lidhjet e forta të pushtetit me krimin dhe drogën ka ngritur një shqetësim ndërkombëtar.
Dje, edhe politikania e njohur gjermane, Doris Pack ka goditur me anë të një statusi në Tëitter kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për mbrojtjen që ai bëri ndaj ish-ministrit Tahiri, i cili akuzohet nga Prokuroria për dy vepra të rënda penale, trafikimi i lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë.
Pasi ka dëgjuar deklaratat e kryeministrit Rama ditën e djeshme, ish-eurodeputetja teksa ka përdorur ironinë ngre pyetjen: “Shqipëria shtet i së drejtës”?, si edhe shprehet se kryeministri po pengon drejtësinë dhe sulmon prokurorët për të mbrojtur Tahirin.
Statusi i plotë: “Shqipëria shtet i së drejtës? – Kandidate për në BE? Kryeministri Rama po e pengon drejtësinë dhe sulmon prokurorët për të mbrojtur mikun e tij, Tahiri”.