Një i vdekur dhe dy të plagosur në tre aksidente

Një person ka vdekur dhe dy të tjera janë plagosur në tre aksidente rrrugore që ndodhën ditën e djeshme në Tiranë dhe Elbasan. Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën “Hoxha Tahsim” në kryeqytet. Një automjet tip “Seat” me targë AA796RC ka përplasur për vdekje një 74-vjeçar. Mësohet se i moshuari po lëvizte me biçikletë në momentin, kur është goditur nga makina. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit.
Po ashtu, një person mbeti i plagosur gjatë pasdites së djeshme në autostradën Durrës-Tiranë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:15, në afërsi të “Mbikalimit të Fllakës”, ku shtetasi E.B. 21 vjeç duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka aksidentuar shtetasin këmbësor R.K. 29 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit ndodhet në vendin e ngjarjes dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Një tjetër aksident rrugor ka ndodhur në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Tiranë. Dy automjetet janë përplasur pranë tunelit të Qafë-Krrabës. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar drejtuesit e automjeteve, një tip “Mercedes” dhe një BMW.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e personave të mbetur brenda njërës prej tyre. Si pasojë e përplasjes, njëri nga mjetet ka pësuar dëmtime të mëdha. Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë një parakalim i gabuar nga njëri nga mjetet, rreth 150 metra në afërsi të tunelit të Krrabës.